Llapi është mposhtur nga ekipi i sapoinkuadruar në Superligë, Malisheva, me rezultat komod 0-3, në kuadër të xhiros së katërt, raporton Llapi.info.
Në pjesën e parë ishin llapjanët që patën disa raste shënimi me anë të Alban Shillovës dhe Bujar Idrizit, mirëpo të njëjtit s’i konkretizuan me gol.
Krejt në fund të pjesës së parë, Francisco Riveria i Llapit pati rastin më të volitshëm për gol, por goditja e tij përfundoi mbi portë. Me rezultat të barabartë 0-0 u mbyll pjesa e parë në “Fadil Vokrri”.
Malishevasit e nisën më mirë pjesën e dytë, ku për dy minuta realizuan dy herë. Torvioll Stullqaku shënoi për 1-0 në minutën e 57’, kurse në 59’ i njëjti lojtar shënoi për 2-0. Për rezultatin final 3-0 u përkujdes Oliver në minutën e 94’.
Ekipi i drejtuar nga Tahir Batatina ende s’e ka shijuar fitoren në këtë edicion, ku nga katër ndeshjet e para, dy i ka mbyllur me barazim dhe dy të tjera me humbje.
Aktualisht Llapi i ka vetëm dy pikë dhe radhitet në pozitën e tetë, e në anën tjetër, Malisheva ka shtatë sosh dhe pozicionohet në vendin e tretë.
Në xhiron e radhës, Llapi udhëton në Therandë për t’u përballur me Ballkanin, ndërsa Malisheva pret Feronikelin./Llapi.info