Pritje më të shkurtra në pikat kufitare në hyrje dhe dalje të Kosovës janë vërejtur gjatë ditës së sotme.

Kështu, sipas të dhënave të fundit të Qendrës për Menaxhimin Kufitar, pritjet më të gjata janë në Merdare, ku për të dalë nga territori i vendit, qytetarëve po u duhet të presin deri në 25 minuta.

Krahasuar me pritjet e ditëve të kaluara që shkonin deri në pesë orë, situata në këtë pikë kufitare është dukshëm më e mirë.

E kolona deri në 100 metra janë shkaktuar në pikën kufitare të Dheut të Bardhë. Aty pritjet arrijnë deri në 15 minuta për të dalë nga territori i vendit.

Ndërkaq për ata që ja kanë mësyrë territorit të vendit përmes Hanit të Elezit, pritjet arrijnë deri në 5 minuta.

Kujtojmë se ditëve të fundit është krijuar një situatë mjaftë e rënduar nëpër pikat kufitare në hyrje dhe dalje të vendit.

Fajtor për këtë po thuhet se është fluksi i madh i njerëzve që ka zënë të papërgatitur autoritetet kosovare.

Megjithatë, një pjesë të fajit, zyrtarë nga MPB-ja e Kosovës thonë se e ka edhe pala serbe për shkak të kontrolleve të panevojshme.