Komuna e Podujevës është cilësuar me mungesë të transparencës në përzgjedhjen e 30 përfituesve të serrave dhe 100 përfituesve të bletëve, njofton Llapi.info. E kjo sipas gjetjes që ka bërë Auditori i Përgjithshëm në Komunën e Podujevës mund të shpie në konkludim se përfituesit e subvencioneve mund të mos jenë më meritor.

“Komuna kishte subvencionuar ndërtimin e serrave individuale me vlerë 146,554€, ku kishin aplikuar 120 fermerë. Sipas raportit të komisionit, 90% prej tyre i kishin plotësuar kriteret e vendosura me konkurs, ndërsa kanë përfituar 30 fermerë. Neve nuk na janë ofruar dëshmi se si janë përzgjedhë këta 30 përfitues në mesin e 120 aplikuesve”, thuhet në raportin e Auditorit të Përgjithshëm, përcjell Llapi.info.

Sipas auditorit, dëshmi nuk janë ofruar as në përzgjedhjen e përfituesve të bletëve.

“Komuna kishte subvencionuar bletarët me shoqëri bletësh (koshere) 99,500€, ku kishin aplikuar gjithsejtë 330 bletarë. Sipas raportit të komisionit 90% e tyre i kishin plotësuar kriteret e vendosura me konkurs, ndërsa kanë përfituar 100 bletarë. Neve nuk na janë ofruar dëshmi se si janë përzgjedhë këta 100 përfitues në mesin e 330 aplikuesve”, thuhet në raport.

Mungesa e transparencës në procesin e ndarjes së subvencioneve, sipas Auditorit të Përgjithshëm, shpie në konkludimin që përfituesit e subvencioneve të mos jenë përfituesit më meritor. “Kjo rrit rrezikun që subvencionet e dhëna të mos arrijnë objektivat e synuara”, vazhdon raporti.

Për këtë gjë, Auditori ka dhënë rekomandimin se kryetari duhet të siguroj se me rastin e subvencionimit të fermerëve do të demonstrohet një transparencë maksimale dhe përzgjedhja e përfituesve të bëhet në bazë të kushteve dhe kritereve të përcaktuar. Një proces i monitorimit të kohëpaskohshëm nëse subvencionet po përdoren për qëllimet përkatëse, duhet të aplikohet.

Por, nuk është kjo e vetmja e gjetur e Auditorit të Përgjithshëm në Komunën e Podujevës. Auditori i Përgjithshëm ka gjetur edhe një varg shkeljes në këtë komunë, të cilat Llapi.info do t’i publikojë ditëve në vazhdim./Llapi.info