Derisa të hënën në Kosovë u regjistruan 486 raste të reja me koronavirus dhe u shënuan 9 vdekje tjera, Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) vazhdon t’i ekspozohet këtij virusi. Në vend që të përçojnë mesazh kujdesi ndaj COVID-19, drejtuesit e shtëpisë së futbollit me veprimet e tyre po e bëjnë vazhdimisht të kundërtën.

Njeriu i parë i FFK-së po merr pjesë nëpër takime të atilla, me dhjetëra njerëz, në të cilat nuk po respektohet as distanca fizike e as përdorimi i maskave mbrojtëse, dy këto nga udhëzimet më elementare të vendosura nga instucionet relevante të shtetit, e të cilat respektohen gjithandej nëpër botë, shkruan Gazeta Express.

Ditëve të fundit kryetari Agim Ademi po merr pjesë në takime të organizuara nga Lidhjet Rajonale të futbollit të Kosovës. Lidhjet Rajonale janë “themelet” e FFK-së të cilat edhe e thonë fjalën vendimtare në zgjedhje që mbahen për kryetar e Komitet Ekzekutiv të FFK-së. Por, vizitat e takimet e Ademit në Lidhjet Rajonale të futbollit të Kosovës FFK nuk i ndërlidh me vota e përkrahje, por me një strategji zhvillimore të futbollit, projekt ky që nuk dihet nëse është edhe në letër apo vetëm fjalë, siç ndodh zakonisht.

Sidoqoftë, në këtë kohë pandemie instucionet dhe organizatat e ndryshme vendore dhe botërore takimet e tilla qe disa muaj po i mbajnë kryesisht përmes sistemeve online, shkruan Gazeta Express. Në të kundërtën zbatojnë masa mbrojtëse. E FFK nuk po e bën as njërën e as tjetrën.

Madje, vet FFK publikon fotografi të takimeve të Ademit në ambiente të mbyllura me nga 12 apo edhe me nga 15 persona të tjerë, pa përdorur masa mbrojtëse si maska apo distancë sociale.

Në anën tjetër, takime pa maska mbrojtëse e pa u respektuar distanca sociale po zhvillohen edhe në zyrën e të parit të FFK-së.

Po ashtu, në shtëpinë e futbollit po zhvillohen edhe takime me gjithë gjyqtarët e personat zyrtarë të ndeshjeve kampionale, ku Agim Ademi me bashkëpunëtorë shihen pa maska mbrojtëse.

Ademi edhe javëve e muajve të kaluar ka zhvilluar vizita të ndryshme nëpër klube e stadiume ku është parë pa maska dhe këtë po e vazhdon tutje.

FFK-ja nuk ka treguar asnjëherë zyrtarisht nëse Ademi është infektuar më herët me koronavirus, ndërsa burimet brenda FFK-së thonë se Ademi së paku dy herë ka rezultuar pozitiv, për çka nuk kishte shkuar fare në Greqi në muajin e kaluar ku kishte luajtur Kosova.

Në anën tjetër, qytetarët e vendit vazhdojnë të jenë të obliguar për respektimin e udhëzimeve të institucioneve relevante të shtetit dhe për ata që nuk po bartin maska po shqiptojnë dënime. Sipas raportimeve të fundit, mbi 55 mijë qytetarë janë gjobitur për mospërdorim të maskave në vlerë totale prej rreth 2 milionë eurosh. Ka shumë të atillë që janë ankuar se janë gjobitur edhe për lëshime krejt të vogla. Ndërsa, edhe bizneset po pësojnë si rezultat i masave të ndërmarra nga instucionet relevante të shtetit.

FFK edhe më herët është kritikuar për mos menaxhim të duhur të pandemisë. Janë shënuar raste kur në kampionat kanë luajtur edhe futbollistë të infektuar, pa kontroll të duhur. Ndërsa, Prishtina dhe Drita kishin shkuar me virus në gara evropiane, për çka ishin kthyer prapa nga UEFA, duke pësuar humbje të mëdha materiale.