Të premten e kaluar, me 11 nëntor, ka ndodhur një ngjarje që mund të konsiderohet si poshtërimi më I madh që i bëhet ushtarëve të FSK’së.

Garda Ceremoniale është dërguar në varrezat e krishtera në Dragodan për të nderuar 104-vjetorin e përfundimit të Luftës së Parë Botërore, të organuzuar nga Ambasada Gjermane dhe ajo Franceze, e ku ka marrë pjesë edhe Ministri I Brendshëm, Xhelal Sfecla, raporton Express.

Deri këtu krejtësisht në rregull.

Por, në të njejtin vend, Garda është vënë roje edhe tek varri i ushtarëve serbë që kanë rënë në Kosovë nga viti 1912-1918. Siç dihet, nga viti 1912, ushtarët serbë – që të premten i ka nderuar FSK – kanë vrarë dhe masakruar mijëra shqiptarë të Kosovës, duke pushtuar kështu Kosovën pas tërheqjes së ushtarëve osman.

“Këtu qëndrojnë eshtrat e ushtarëve të rënë serbë, që vdiqen në luftërat 1912-1918”, shkruan pllaka përkujtimore, kurse rreth këtij varri qëndrojnë ushtarët e FSK’së dhe krejt trupa diplomatike në Kosovë.

Mbetet mister se si dhe kush i dërgoi ushtarët e FSK’së në këtë aktivitet, e po ashtu se pse pranoi Ministri Svecla të marrë pjesë në këtë ceremoni. Mbase, për t’i nderuar Ambasadën Gjermane dhe atë Franceze, por siç dihet, gjermanët dhe francezët përkujtuan përfundimin e Luftës së Parë Botërore (1918), kurse lufta kishte filluar më 1914. Atëherë, pse nderohen ushtarët serbë të rënë në vitin 1912?