Zajarrvëniet po vazhdojnë të jenë dukuri mjaft shqetësuese në Komunën e Podujevës, ani pse janë paralajmëruar gjoba nga autoritetet komunale, njofton Llapi.info.
Një rojtar pylli në fshatin Pakashticë të Podujevës ka raportuar se është përfshirë një sipërfaqe me pisha. Rastin e ka bërë të ditur edhe Policia e Kosovës.
“Fsh. Pakashtice, Podujeve 20.03.2020-19:00. Ankuesi mashkull kosovar roje pylli, ka raportuar se nga zjarri është përfshirë një sipërfaqe me pisha. Njësit përkatës edhe zjarrfikësit kanë dalë në vendin e ngjarjes”, thotë PK.
Ndryshe, në qytetin e Podujevës ka filluar të raportohen raste të djegieve të hapësirave të ndryshme, që nga kullosat e deri tek pyjet.
Një gjë të tillë e ka raportuar edhe Komuna e Podujevës, ku ka apeluar tek qytetarët që të mos ndezin pyjet, hamulloret dhe kullosat.
Komuna e Podujevës, me njoftimin e saj zyrtar që nga dita e djeshme, ka bërë të ditur se ndaj atyre që vazhdojnë këtë dukuri do të merren masa ndëshkuese.
“Ky shqetësim është ngritur në Komisionin komunal për veprime dhe masave parandaluese e mbrojtëse nga COVID-19, ku u kërkua nga inspektorët komunalë dhe Policia e Kosovës që të jenë rigorozë në ndërmarrjen e masave ndaj zjarrvënësve. Prandaj, Drejtoria e Shërbimeve Publike dhe drejtoria e BPZHR apelojnë te qytetarët që të mos ndërmarrin veprime të tilla, të ndezjes së zjarreve, që rrezikojnë shëndetin dhe dëmtojnë pronën, sepse ndaj tyre do të ndërmerren masa ndëshkuese konform ligjit”, thuhet në njoftimin e komunës./Llapi.info