Kompania e Ujësjellësit Rajonal “Prishtina” njofton të gjithë konsumatorët e qytetit të Prishtinës, ata të cilët furnizohen me ujë nga sistemi i Batllavës, e që janë gjithsej 70% e konsumatorëve të këtij qyteti, se sot mund të rrezikojnë të mbesin pa ujë gjatë gjithë ditës.

Kjo për arsye se janë dëmtuar kabllot e energjisë elektrike në Stacionin kryesor të pompave në fshatin Besi nga kontraktorët e Komunës së Prishtinës që janë duke punuar në asfaltimin e rrugëve, e që, sipas Ujësjellësit, është hera e dytë që po i dëmton kabllot e energjisë që rrezikojnë ta lënën Prishtinën pa ujë.

“Kërkojmë nga Komuna e Prishtinës që kontraktorëve të tyre t’ju sugjerojnë që të jenë shumë më të përgjegjshëm”, thuhet në komunikatën e KUR “Prishtina”, raporton Koha.net.

Po ashtu, kompania bën me dije se mbrëmë, pasi që ka filluar prodhimin fabrika e ujit në Badoc, janë shfaqur probleme me rrjetin brenda qytetit të Prishtinës, me ç’rast ka ndodhë një pëlcitje e gypit me diametër fi 300 mm në rrugën “Ismail Dumoshi” ku punëtorët e Ujësjellësit, që nga mbrëmë janë në vendin e ngjarjes dhe pritet që shumë shpejtë të sanohet.

KUR “Prishtina” thotë se si pasojë e këtij dëmtimi, disa lagje që furnizohen me ujë nga sistemi i Badocit janë pa ujë deri në sanimin e gjendjes./Koha.net