Faton Hajrizi vendosi një rekord sa i përket arratisjeve nga burgjet e Kosovës, ku sot shënoi shifrën prej 9-të arratisjeve të suksesshme.
Siç raportohet, Hajrizi sot është larguar nga burgu i Smrekonicës dhe se dy oficerë korrektues janë suspenduar të dyshuar në lidhje me rastin.
Hajrizi ishte gjithashtu përfitues i vikendit dhe se herën e fundit që ka shfrytëzuar vikendin ishte nga data 01 deri më 03 të këtij muaji.
Cilat janë historitë e tij të arratisjeve nga burgjet e Kosovës – Çfarë tha ai?
Në një nga herët, Hajrizi kishte arritur të arratiset nga vetmia, pasi paraprakisht sa kishte qenë në arrati kishte kërkuar ndihmë tek një këpucëtar.
“Më çuan në dhomë lartë, i pata sharrat me vete në këpucë. Në arrati i pata bërë. Shkova të këpucëtari dhe i rregullova se besoja që do të më zënë prapë…”, ishte shprehur Hajrizi.
I burgosuri gjithashtu tregonte se si u “tradhtua” nga shoku i tij i qelisë.
“Më çuan me një djalë në dhomë, por ai kishte qenë shërbyes i tyre. I thash ‘A po do të ikësh?’, më tha ‘Po”. Doli ta pastrojë korridorin dhe m’i solli oficerët. Ma zunë njërën sharrë. Më çuan në vetmi, por e kisha tjetrën sharrë. Prej vetmisë ju ika. Ata më çuan për izolim më të fortë, por unë prej atij izolimi eca në ora 1 të ditës”, kishte thënë Hajrizi në një intervistë për Betimi për Drejtësi.
Edhe pse në masa të rrepta sigurie, Hajrizi kishte rrëfyer se si u largua nga vetmia duke prerë grilën.
“Në vetmi nuk vinin shpesh të të shqetësonin. Edhe pse unë e kam pasur çdo pesë dakikë me më këqyr për sporteli. Unë kam arritur me pre grilën në vetmi dhe kam dalë”, thoshte ai.
Faton Hajrizi është i dënuar për vrasjen e policit rus të UNMIK-ut dhe se ai arrit që për herë të nëntë të arratiset nga brugu.