Kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka treguar se sot në mëngjes kanë qenë në inspektim të punimeve të magjisrales Podujevë – Prishtinë, bashkë me disa zyrtarë të Ministrisë së Infrastrukturës, shkruan Llapi.info.

Ky inspektim sipas tij ka qenë i fshehtë duke shkuar pa paralajmërim dhe se ai u shpreh se nuk është i kënaqur me dinamikën e ditëve të fundit.

Përkundër kësaj, Bulliqi thotë se kompanitë të cilat janë duke punuar në këtë magjistrale i kanë deklaruar se punimet do të përfundojnë deri në fund të këtij viti.

“Sot bashkë me disa zyrtarë të Ministrisë së Infrastrukturës kemi qenë në inspektim të punimeve në magjistrale. Të të them të drejtën unë nuk kam qenë i kënaqur me dinamikën që është duke u zhvilluar. Mirëpo, përfaqësuesit e kompanive sërish janë zotuar se punimet do të kryhen deri në fund të këtij viti. Unë kërkova që ta rrisin dinamikën sidomos këto ditë, për shkak që tashmë do të nis edhe ardhja e mërgimtarëve në pushime në vendlindje dhe kërkova që të bëhet ckado që është e mundur për ta zvogëluar përballjen me kolona për qytatarët tanë”, tha Bulliqi në Kanal10.

/Llapi.info/