Nën përkujdesjen e Zyrës së kryeministrit të Kosovës, sot në Tiranë në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes së Forcave të Armatosura të Shqipërisë në Tiranë, mbahet akademi përkujtimore në 17 vjetorin e vrasjes së gjeneral Ilir Konushevcit dhe Hazir Malës.

Me këtë është paralajmëruar se në akademi do të marrin pjesë përfaqësues të jetës politike dhe ushtarake nga Kosova dhe Shqipëria. Konushevci dhe Mala u vranë në pritë në Qafë Mali, teksa transportonin me kamion armë për UÇK-në, transmeton Telegrafi.

Ilir Konushevci ishte njëri ndër themeluesit e UÇK dhe bashkëluftëtar i Zahir Pajazit dhe Hakif Zejnullahut.
Ata kishin filluar fillet e para të UÇK-së, jo vetëm në Llap, por edhe në zona të tjera të Kosovës.

Kur pritej që përmes Ilirit në Kosovë të futeshin oficerë e ushtar për t’ju bashkuar UÇK-së, kur në Kosovë zhvilloheshin ofensiva të ashpra dhe të cilat paralajmëronin një luftë frontale, atëherë kur pritej dhe kërkohej më së tepërmi sjellje e armatimit, derisa ishte duke kryer si çdo herë detyrën e tij me përkushtimin më të madh, u vra më 9 maj 1998 në një pritë të organizuar bashkë me mjekun nga Tropoja, Hazir Mala.

Ilir Konushevcit Republika e Kosovës i ka ndarë dekoratën më të lartë shtetërore Urdhrin Hero i Kosovës.