Pjesëmarrja e Kosovës në samitin e Sofjes do të jetë shkaku që Spanja nuk do të marrë pjesë në këtë samit të Ballkanit Perëndimor.
Kështu shkruan në një artikull të saj gazeta online spanjolle “El Confidencial”, në të cilin shkruhet se për shkak të problemit të ngrirë me Kataloninë, kryeministri spanjoll, Mariano Rajoy, dhe bashkëpunëtorët e tij nuk do të ulen në tavolinë me përfaqësuesit kosovarë, transmeton lajmi.net.
Kosova, e cila është pjesë e Ballkanit Perëndimor së bashku me Serbinë, Malin e Zi, Maqedoninë, Bosnjën dhe Shqipërinë, do të marrë pjesë në samitin e Sofjes. Në kuadër të kësaj Rajoy do ta bojkotojë këtë samit, shkruan gazeta spanjolle.
“El Confidencial”, shkruan se Rajoy, do të shkojë në Bullgari, mirëpo do të takohet vetëm me komunitetet lokale, si dhe do të jetë prezent në darkën e liderëve evropianë një ditë para Samitit të Sofjes.
Sipas burimeve të kësaj gazete, Madridi zyrtar i ka dërguar letër Brukselit ku edhe i konfirmuar se nuk do të marrë pjesë në këtë samit.
Po ashtu sipas burimeve të tyre, edhe pse pjesëmarrja e Spanjës në samit është ende e hapur, Rajoy nuk pritet të ndryshojë qëndrim në momentet e fundit.
“Kosova është pjesë e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, dhe shumë shtetet anëtare të BE-së e konsiderojnë si shumë të rëndësishme që i tërë regjioni i Ballkanit të marrë pjesë në këtë samit”, thuhet nga burimet e “El confidencial”.
Nga ana tjetër Spanja është një nga pesë shtetet e Europës e cila ende nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, së bashku me Qipron, Rumaninë, Greqinë dhe Sllovakinë, shtete këto që pavarësisht qëndrimit të tyre do të marrin pjesë në samitin e Sofjes.