Ndeshje spektakolare është zhvilluar në Mitrovicë mes Trepçës ’89 dhe Llapit.
Dy skuadrat kanë dhuruar një shfaqje të bukur me gjashtë gola të shënuara, por që në fund rezultati ishte i barabartë 3-3 dhe nuk kishte fitues.
Vendasit tre herë kaluan në epërsi dhe mysafirët barazuan në tre raste rezultatin.
Ishte minuta e 23-të e ndeshjes, kur kapiteni Ardian Muja kaloi vendasit në epërsi me një goditje nga afërsia për 1-0.
Me të filluar pjesa e dytë, Kushtrim Shabani barazoi shifrat në 1-1 në minutën e 49-të pas asistimit nga Gerhard Progni.
Por vetëm katër minuta më vonë, Bleon Sekiraqa i vendasve shfrytëzoi një gabim në mbrojtjen e mysafirëve dhe kaloi 89-shin përsëri në epërsi 2-1.
89-shi kishte rast ta ngriste epërsinë në 3-1, por Robert Rrahmani humbi penalltinë në minutën e 64-të.
Kur nuk shënon pëson dhe llapjanët gjetën golin e barazimit në 2-2 në minutën e 71-të me zëvendësuesin Drilon Fazliu.
Por vetëm një minutë më vonë vendasit gjetën përsëri epërsinë kur shënoi Armend Gashi për 3-2.
Por në minutën e 91-të, Llapi fitoi penallti dhe i saktë nga pika e bardhë ishte Festim Alidema që realizoi për rezultatin përfundimtar 3-3.