Rrjeti i organizatave joqevritare lokale “Demokracia Fillon Këtu”, përmes një postimi në faqen e tyre në rrjetin social Facebook ka akuzuar stafin e Qendrës së Mjeksisë Familjare në fshatin Lluzhan të komunës së Podujevës për siç e quajnë ata papërgjegjesinë e stafit.
Sipas kësaj organizate stafi mjeksorë i kësaj qendre për rreth një orë, nga ora 08:40 deri në 09:45, janë mbledhur në një dhomë për kafe përderisa pacientët prisnin në radhë.
Llapi.info ka kontaktuar me zyrtarë të kësaj organizate dhe sipas tyre në atë kohë i pranishëm në QMF-në në Lluzhan ka qenë drejtori i rrjetit të OJQ-ve lokale “Demokracia Fillon Këtu” i cili ka parë pacientë duke pritur në radhë derisa stafi mjeksorë janë bërë bashkë në një dhomë dhe kanë pirë kafe.
Përpo kësaj “Në tabelë e as ne dyerën hyrëse nuk ka pasur kurfarë orari publik të pushimit për mëngjes dhe ata disa herë janë ftuar të vijnë kurse ata vazhdimisht kanë thënë jemi në pushim, derisa një rast urgjent me lëndim ka ardhur dhe janë detyru me fillu punën” ka thanë ndër të tjera zyrtari i kësaj organizate për Llapi.info.
Ndërsa, Drejtoria e Qendrës Kryesore e Mjekësisë Familjare (QKMF) në Podujevë nuk ka marrë ndonjë ankesë për këtë rast.
Drejtori i kësaj qendre, Afrim Shabani, tha për Llapi.info se në drejtorinë e QKMF-së në Podujevë nuk ka ardhur asnjë ankesë lidhur me rastin.
“Pacientët kanë të drejtë ankese mirëpo asnjë ankesë nuk ka ardhur në drejtori dhe përderisa nuk ka ankesa ne nuk mund të ndërmarrim asgjë në lidhje me rastin” tha ndër të tjera Shabani./Llapi.info