Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, njëherësh edhe ish-ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, ka thënë se rritja e inflacionit gjatë muajit mars prej 10 për qind është një rekord i zi për ekonominë e vendit.
Ai ka deklaruar se shtrenjtimi i madh i rrymës, ngritja e paparë e çmimeve për prodhimet elementare dhe tani kjo normë dyshifrore rekorde e inflacionit, do ta godasë edhe më ashpër mirëqenien e qytetarëve të Kosovës.
Stavileci ka shkruar në faqen e tij në Facebook se ky është një rekord tejet negativ në një kohë shumë të vështirë për koston astronomike të jetesës së familjeve kosovare.
“Inflacioni për muajin mars është 10%. Rritja enorme e çmimeve me këto vlera inflacioni po arrijnë rekorde të zeza për sa i takon rëndesës që po i bëhet një familjeje për ta kaluar mezi muajin. Shtrenjtimi i madh i rrymës, ngritja e paparë e çmimeve për prodhimet elementare dhe tani kjo normë dyshifrore rekorde e inflacionit do ta godasë edhe më ashpër mirëqenien e qytetarëve të vendit tonë”, ka shkruar Stavileci.
Ndërkaq, sipas Stavilecit, qeveritarët edhe ashtu në deflacion vizioni e idesh për t’i tejkaluar sfidat e sotme, me lëmosha të vogla e të çastit po mendojnë se mund të zgjidhen problemet e mëdha ekonomike.
“Përderisa të gjitha po përkeqësohen në kurriz të qytetarëve, ne ende s’e kemi parë asnjë zgjidhje meritore afatgjatë, përveçse lëmoshës për muajin prill, e cila i bie të jetë nga 12.5 euro për muaj deri në fund të vitit. E çka të mbulojnë më parë me këtë vlerë qytetarët e shkretë. Rrymën? Derivatet? Miellin? Bukën? Qumështin? Vajin?”, ka thënë Stavileci.