Asnjë protokoll nuk do ta shpëtonte kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinajn nga arrestimi, nëse ai do ta vizitonte Serbinë, ka deklaruar ministri serb i Punëve të Brendshme Nebojsha Stefanoviq.
Duke komentuar deklaratën e Haradinajt se e ka ftesën e autoriteteve lokale për ta vizituar Medvegjën dhe se vizita e tij do të ketë protokoll dhe do të jetë me leje të autoriteteve serbe e ndërkombëtare, Stefanoviq ka thënë se “Haradinaj do të mund të kishte vetëm protokollin që do ta dërgonte në burgun e parë të qarkut dhe ta kryente dënimin për kryerjen e veprave të rënda penale”, transmeton Koha.net.
“Gjykata tona e kërkojnë Haradinajn për shkak të veprave të rënda penale dhe kurrfarë protokolli nuk mund ta shpëtojë”, ka thënë Stefanoviq për Pink dhe ka shtuar se kurrfarë funksioni politik nuk mund ta mbrojë.
Ai ka përkujtuar se “ Haradinaj gjendet në fletë arrestin serb për veprat më të rënda ndaj popullatës civile dhe ka theksuar se derisa në Serbi ekziston fletë arresti i Interpolit, nuk ka asnjë lloj abonimi, përkatësisht shpëtimi”.
Haradinaj më herët kishte thënë se është i gatshëm ta vizitojë komunën e Medvegjës e të Preshevës me ftesë të autoriteteve lokale.