Për shkak të rritjes së nivelit të ujit në liqenin e Batllavës dhe atë të Badocit, si rezultat i reshjeve atmosferike të ditëve të fundit, ka ndikuar që të krijohen turbullira në këto liqene.
Por, pavarësisht kësaj, në ujësjellësin rajonal “Prishtina”, kanë bërë të ditur se uji mund të pihet dhe cilësia e tij është brenda standardeve të kërkuara.
Arjeta Mjeku, zëdhënëse e KUR “Prishtina”, ka thënë se edhe të mërkurën ka pasur kapërderdhje të ujit në të dy liqenet.
Edhe pse kapacitetet e prodhimit të ujit para disa ditësh ishin zvogëluar nga 350 l/s në 150 l/s, sipas Mjekut, të mërkurën është rritur prodhimi, pasi ka filluar largimi i turbullirave.
“Kapaciteti momental prodhues nga sistemi i Batllavës është 800 l/s, derisa në sistemin e Badocit kemi 370 l/s”, ka thënë Mjeku.
Sipas saj, reshjet e fundit dhe kapërderdhja e liqeneve siguron mjaftueshëm ujë të pijshëm dhe ka furnizim të mirë sa asnjëherë më parë, shkruan sot më gjerësisht Koha Ditore.