Është bërë një vit që prej se është rrënuar objekti i ish-Komitetit, në të cilin funksiononte edhe biblioteka e vetme publike në Komunën e Podujevës, shkruan Llapi.info.
Rrënimi i këtij objekti ishte bërë me shkas që të zgjerohej dhe të ri-asfaltohej “Rruga e Xhamisë”. Në janar zyrtarë nga Komuna e Podujevës i patën thënë portalit Llapi.info, se së shpejti do t’i bëhej një zgjidhje lexuesve llapjanë, pasi si mundësi do të merrej objekti ekzistues të administratës komunale.
Zyrtarët patën thënë se shumë shpejt Komuna e Podujevës pritët të marrë përkohësisht epitetin e bibliotekës së qytetit. Të gjitha librat do të zhvendoseshin në këtë objekt. Përkundër që këto premtime ishin bërë në fillim të këtij viti, edhe pas shtatë muajsh Podujeva s’ka një vend për studentë dhe nxënësit e kësaj komune. Komuna nuk ka arritur që të gjejë një zgjidhje.
E kjo ka bërë që shpeshherë të ketë edhe përplasje mes pozitës e opozitës në Kuvendin Komunal. Opozita kërkonte zgjidhje të shpejtë, ndërkaq LDK-ja vazhdonte avazin e premtimeve dhe zvarritjeve.
Në anën tjetër, studentët dhe nxënësit e kësaj komune po vazhdojnë të ballafaqohen me mungesë të një vend-leximi, teksa shkresë zyrtare kanë dërguar edhe te Kuvendi i Podujevës.
“Ne si studentë të kësaj komune, jemi duke përcjellë me vëmendje zhvillimet e fundit në komunën tonë sa i përket fushës së arsimit. Siç e dini edhe ju, ne kemi pasur një sallë të vogël të leximit edhe pse e vogël me hapësirë, por i përmbushte nevojat elementare tona. Ju e patë të arsyeshme ta rrënoni për të mirën e komunitetit. Ne studentët e kësaj komune u pajtuam që ai objekt të rrënohet, por me kushte që një afat të shkurt të bëhet një zgjidhje eventuale për ne. Pra ne si rini e Podujevës ju drejtohemi juve të përzgjedhurve tonë në Kuvend Komunal që të na plotësoni këtë kërkesë tonë solide, që na takon si e drejt elementare në zënien e dijes”, thuhet në kërkesën e studentëve, duke shtuar se afati kohor më i shkurtë do të ishte më se e nevojshme.
E përpara ekzekutivit të Komunës, këtë kërkesë e ka shpalos shefi i grupit të këshilltarëve të PDK-së, Fatmir Rudari.
“Na ka ardhur një kërkesë nga 35 studentë të Podujevës, që me kërkesë në Kuvendin Komunal për një sallë leximi për studentët e Komunës sonë. Ata po kërkojnë sallë se tash edhe i kanë do provime në shtator. Këtë kërkesë e kanë dërguar zyrtarisht, dhe kisha kërkuar prej drejtorit të Drejtorisë së Arsimit t’u bëhet një zgjidhje”, ka thënë Rudari.
Në lidhje me këtë problem, komunarët vazhdimisht janë akuzuar se mos-funksionalizimi i përkohshëm i një vendi për lexim, sipas tyre, veç sa e rëndon akoma më shumë gjendjen e arsimit në Komunën e Podujevës.