Zhurma e krijuar nga Sektori i Pylltarisë, i cili gjendet në një objekt me Biblotekën e qytetit të Podujevës, po i pengon studentët, të cilët po i shfrytëzojnë hapsirat e pakta të kësaj bibloteke për të përgatitur provimet për afatin e shtatorit.

Se ekziston një problem i tillë, e ka konfirmuar edhe U.D i Drejtorit të Kulturës në Podujevë, Agron Gërguri, i cili ka thënë se ka marrë një ankesë të tillë dhe se do të intervenojë që ky problem të zgjidhet.

“Do të intervenojmë që t’i bëhet një zgjidhje këtij problemi nga personat përgjegjës, sepse zhurma e shkaktuar nga Sektori i Pylltarisë po i pengon studentët” ka thënë Gërguri.

Gërguri më tej ka thënë se hapsira e rezervuar për biblotekë në atë objekt është e pamjaftueshme, por për shkak të ngecjes së ndërtimit të objektit të ri të komunës gjenden aty edhe sektore të reja.

Ne kemi provuar të kontaktojmë me zyrtarë të Drejtorisë të Bujqsisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural por ata nuk kanë shprehur gatishmëri të përgjigjen./Llapi.info