Studentë të shumtë promovuan Kosovën nëpër vende të ndryshme të botës për arritjet e tyre, madje edhe në Amerikë. Por, ka edhe nga ata në trojet shqiptare të cilët vazhduan me suksese, shkruan Llapi.info.

Në mesin e tyre ka edhe shumë llapjanë. E një prej tyre është edhe Ngadhnjim Cakiqi nga Podujeva. Cakiqi për pak kohë ka përfunduar tre fakultete, diplomat e të cilave i ka prezantuar përpara shtatores së heroit Zahir Pajaziti. Me studime të larta ka filluar në vitin 2010, ndërsa në mars të vitit 2019 ka diplomuar në Fakultetin Ekonomik në Prishtinë me notë mesatare 9.6. Për Llapi.info, Cakiqi thotë se pavarësisht vështirësive në tri drejtime, kjo është arritur me angazhim si dhe me përkrahjen e familjes dhe të shoqërisë.  

“Më 1 tetor 2010 kam filluar studimet në Fakultetin e Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës – Prishtinë, në drejtimin Konstruktiv dhe e kam përfunduar nga të parët e gjeneratës sime me 23 korrik 2014 me notën mesatare 8.0. Pastaj kam filluar studimet në master shkencor në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit në Tiranë në drejtimin Strukturë më10 dhjetor 2015, duke i përfunduar studimet me 24 korrik 2017 me notën mesatare 8.4. Së fundmi kam filluar Fakultetin Ekonomik Prishtinë me 1 tetor 2014 në drejtimin Banka, Financa dhe Kontabilitet për ta përfunduar më 25 mars 2019 me notën mesatare 9.6. Gjithsesi kam marr leje nga dekanati ne Fakultetin Ekonomik që të ndërpresë studimet në Ekonomik për dy vite sa kam studiuar në Tiranë me që kam jetuar në Tiranë gjatë kohës sa kam bërë master”, thotë Cakiqi.

“Vështirësitë kanë qenë të natyrave të ndryshme, por nga përgatitja që kisha si në shkollën fillore ashtu dhe në gjimnaz me ndihmuan për fillimin e mbarë të studimeve. Mandej me një angazhim te madh nga ana ime, me përkrahjen e familjes dhe shoqërisë i kam tejkaluar të gjitha vështirësitë dhe ja dola pas 8 viteve studimi të kurorëzoj tri diploma”, vijon ai.

Duke folur për rëndësinë e arsimimit, Cakiqi ka inkurajuar të gjithë studentët që të angazhohen për t’i arritur objektivat.

“Mesazhi im për gjithë ata që studiojnë është se diploma në jetë e ka kohën e saj, mendoj se vitet e 20-ta janë për diplomën. Gjeni motivin dhe fokusohuni tek përfundimi i studimeve në këtë periudhë te jetës pa menduar se po merrni një diplome të zhvlerësuar, këtë pjesë mos e mendoni asnjëherë. Studioni për të arritur objektivat e juaja dhe për t’u bërë profesionistë të fushës pa menduar se çfarë do ju shërbej diploma juaj”, ka thënë tutje Cakiqi

I riu duke treguar për sukseset, ka apeluar te të gjithë të rinjtë që të mos dorëzohen parapara sfidave dhe t’i kërkojnë sukseset dhe synimet e tyre me përkushtim, punë dhe angazhim. Cakiqi njëherësh punon si profesor./Llapi.info