Tomisllsv Perushiq, qytetar serb nga Vojvodina, i cili po merr pjesë në Seminarin e Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare, në një intervistë për Radio Kosova, deklaroi për përvojën e tij në lidhje me kontaktet e vëna me shqiptarët, për përjetimet e tij përreth Kosovës, etj.

Ai thotë të ketë dëgjuar shumë për Kosovën, por thotë të mos ketë ditur asgjë për këtë vend. Thotë ta ketë paramenduar Kosovën si Sirinë, por me të ardhur për vizitë thotë të jetë befasuar për të mirë.

Studenti nga Beogradi thotë se ka një plan: dëshiron të bëjë ‘master” në Prishtinë.
Më poshtë ndiqni intervistën në tërësi dhënë Radio Kosovës.

Radio Kosova: Ti je rast shumë i rrallë me lidhjen që e ke me Kosovën, me shqiptarët. Ti ke lindur në vitin 1990, pra, në kohën kur është bërë luftë në Kosovë ti ke qenë një fëmijë, s’ke pasur informacione. Si vendose të lidhesh me shqiptarët , t’i kalosh armiqësitë, sidomos çfarë ka ndodhur në vitin 1999?

Tomislav Perushiq: Mund të them që gati tërë jetën jam duke dëgjuar për Kosovën, ama unë s’kam ditur asgjë as për Kosovën e as për shqiptarët. Edhe shpesh jam bërë nervoz kur dëgjoja emrin Kosova, se vazhdimisht dëgjoja të flitej për të, veç Kosova, Kosova. Edhe i thashë vetes çka ka në Kosovë aq interesant, nuk e kuptoja.
Pastaj, kur kam qenë në Amerikë për herë të parë kam takuar shqiptarë. Edhe më vinte turp se s’dija asgjë për shqiptarët. Edhe pse jemi fqinj. Kam dëgjuar vetëm gjëra të këqija dhe dëgjoja vetëm se Kosova është Serbi.

Radio Kosova: Ku i dëgjoje këto gjëra?

Tomislav Perushiq: Në medie, në shkollë, në shoqëri, në rrugë, në lagje …
Radio Kosova: D.m.th. keni qenë i vogël që të përballeni me këtë propagandë?
Tomislav Perushiq: Që kur kam qenë 9 vjeçar kam ndjekur lajmet, se ishin gjithandej veç për Kosovën. S’flitej asgjë tjetër, se në atë kohë ka qenë lufta e Kosovës. Dhe më herët s’kam ditur asgjë, se prindërit e mi s’kanë pasur dëshirë të na tregojnë se çfarë është duke ndodhur.

Radio Kosova: Por, çka t’ju flisnin për luftën?

Tomisla Perushiq: Po, po. Ama s’mund t’u shmangesh këtyre sendeve se në shkollë të gjithë kanë folur për gjendjen, për politikën. Është shumë e zakonshme, politika është një temë edhe te të rinjtë edhe te të vjetrit, e edhe te fëmijët.

Radio Kosova: A arrite ta bësh diferencën me atë çka thotë politika për Kosovën për aq kohë sa ti po vjen muaj për muaj?

Tomislav Perushiq: Unë kurrë s’kam pasur paragjykime për shqiptarët, por as për asnjë. Unë mendoja për Kosovën sikur Siria që është sot kur erdha për herë të parë këtu. Ama u habita kur erdha se sa është ndërtuar Kosova, sa është e modernizuar, sa shumë të rinj ka, shumë gjallëri, më shumë se në Suboticë. Unë jam nga Subotica ama këtu është ndryshe. Me gjithë qejf vij në Kosovë.

Radio Kosova: Por ti po vjen muaj për muaj, madje më tregove se ke një plan?

Tomislav Perushiq: Po, vij muaj për muaj dhe kam një plan. Kam qejf të bëj master në Prishtinë. Vitin e ardhshëm do të vij në Prishtinë për master pasi ta përfundoj fakultetin në Beograd. Jam shumë i sigurt që do të vij në Prishtinë, se Prishtina është vend i mirë. Mendoj se Kosova është vend i mirë jo vetëm për gjuhën shqipe, se unë s’kam filluar mësimin e gjuhës për shkak të gjuhës por për shkak të popullit, për shkak të komunikimit me shqiptarët, se dua t’i njoh më mirë shqiptarët, meqë nuk kam ditur asgjë për shqiptarët.

Radio Kosova: Tomislav, kur po vjen në Prishtinë, a i takon edhe serbët e Kosovës apo vetëm shqiptarët?

Tomislav Perushiq: Në përgjithësi shqiptarët. Unë kam shumë shoqëri këtu me vajza e djem shqiptarë, ama kam taku disa serbë në seminar. Kam folë me ta, ata kanë pikëpamje më ndryshe prej meje.

Radio Kosova: Çfarë pikëpamje kanë ata, paragjykuese?

Tomislav Perushiq: Po, është paragjykuese, por jo të gjithë. Kam takuar edhe do vajza që ishin shumë mendjehapura, por në përgjithësi mendoj se s’kanë dëshirë të flasin me shqiptarët se kanë frikë. Po një gjë që e kam vërejtur është që ata thonë kur kuptojnë që unë studioj gjuhën shqipe, menjëherë fillojnë të flasin për politikë, që nuk është rast me shqiptarët. Kur flas me shqiptarët, flasin për gjëra të tjera e pastaj politika vjen më vonë.

Radio Kosova: Pra, rinia në Serbi është e politizuar, nga çka kanë frikë ata që të mos komunikojnë me shqiptarë, dhe ti pse s’ke frikë?

Tomislav Perushiq: Unë s’kam frikë se kurrë s’kam pasur paragjykime, dhe ndoshta për shkak se jam rritur në një familje të përzier. Jemi serbë, kroatë, hungarezë.

Radio Kosova: Pra, nuk je njëqind për qind serb, mbase ka ndikuar gjenetika?

Tomislav Perushiq: Po, po, mbase (dhe qeshet Tomislavi).

Radio Kosova: E ke nënën apo babanë serb?

Tomislav Perushiq: Nënën e kam serbe.

Radio Kosova: Pra nëna s’paska ndikuar që të ndryshoj…?

Tomislav Perushiq: Jo, jo, as nëna ime s’ka pasur kurrë paragjykime, edhe pse familja e saj është pak më paragjykuese, pak apo shumë s’di tash, se s’flasim shumë në familje

Lexo më shumë në: https://www.gazetaexpress.com/lajme/studenti-serb-qe-e-paramendoi-kosoven-si-sirine-deshiron-te-beje-master-ne-prishtine-569942/?utm_source=referral&utm_medium=web&utm_campaign=copyright