Çështja e zgjedhjes së përfituesve të bursës nga Komuna e Podujevës, po cilësohet e manipuluar.
Kësisoj, një studentit në Fakultetin e Mjekësisë i cili ka notën mesatare 10, i është refuzuar bursa nga Komuna e Podujevës.
Këtë e ka bërë të ditur sot në sallën e Kuvendit Komunal këshilltari nga radhët e VV-së, Vendenis Lahu, kur po diskutohej për përfundimin e vitit shkollorë 2017/18, shkruan Llapi.info.
Lahu në foltore ka thënë se gjithmonë ka mungesë të transparencës për ndarjen e bursave nga ana e Komunës së Podujevës.
“Komuna e Podujevës ka refuzuar student edhe me notën mesatare 10 në Fakultetin e Mjekësisë. Është fat që komuna ka kësi student e që Kosova nuk ka student më të mirë, por komuna e jonë e ka refuzu”, ka thënë Lahu duke adresuar pyetje tek Drejtoria e Arsimit se përse nuk janë bërë publike kriteret dhe përfituesit e bursave.
Ai ka shtuar se kjo dukuri vazhdon të jetë shqetësuese për çdo kënd.
Në lidhje me përfituesit e bursave ka folur edhe Fatmir Rudari nga PDK. Rudari ka përmendur një rast kur i është paraqitur një student të cilit i është refuzuar bursa komunale.
“Shqetësim mbetet ndarja e bursave nga Komuna. Mua më është paraqitur një student me notë mesatare 9.11 të cilit i është refuzuar bursa nga Komuna e Podujevës. Në Batllavë një shtëpisë në një familje ju kanë nda tre bursa, e një tjetre dy bursa, ndërsa këtij me notë 9.11 është refuzuar. Nuk e di se çfarë kriteresh janë përdorur sepse nuk janë bërë publike”, ka thënë Fatmir Rudari.
Kurse, u.d i Drejtorisë së Arsimit në Podujevë, Agim Blakçori, ka thënë se vetëm një rast ka qenë kur një familjeje i janë ndarë dy bursa.
“Në mungesë të rregullores që konstatohet që bëhet një rregullore për ndarjen e bursave është shpallë konkursi, edhe nuk është kriter vetëm nota mesatare. Ka qenë një tjetër kriter që përfshinë më shumë studentë dhe nxënës që kanë nevojë. Ka qenë vetëm një rast kur kanë qenë përfitues dy prej një familje, mirëpo me të vërejtur nga Komisioni i ka thirr edhe në mënyrë vullnetare është tërhequr dhe ka liruar vendin dikujt tjetër. Dy në një familje nuk ka pasur tjetër rast dhe ka qenë kriter që përfitues të jetë vetëm i një burse ose komunale ose ajo e Universitetit”, ka thënë Agim Blakçori.
Edhe Bajram Ajeti reagoi duke thënë se është urgjente të bëhet një rregullore që përcakton kriteret për ndarjen e bursave. Madje, Ajeti e ka quajtur këtë keqpërdorim të taksave të popullit./Llapi.info