Gazetarja e mediumit “Periskopi” me prejardhje nga Podujeva, Artinë Muçiqi, sot ka fituar çmimin e parë të saj për shkrimin më të mirë online në projektin “roli i gruas në fuqizimin e ekonomisë në Kosovë” i publikuar më 17 janar të vitit 2017, transmeton Llapi.info.

Artikulli me të cilin Artina mori këtë çmim flet për sfidat me të cilat përballen gratë kur ato fillojnë të merren me biznes.

Në këtë shkrim bëhet fjalë për fermeret Afërdita Murati dhe Blerta Restelica të cilat rrëfyen sfidat me të cilat u përballen në bizneset e tyre, të cilat falë punës dhe përkushtimit, arritën t’i mposhtin. Po ashtu, në këtë artikull flitet për rolin e rëndësishëm të gruas në fushën e biznesit në Kosovë.

Ashtu siç thuhet edhe në artikull, përderisa në të kaluarën gratë më shumë kishin qenë ndihmëse të familjarëve të tyre, në punë të rënda, në fushë e në ara, sot ato kanë heshtur të gjitha paragjykimet për sukseset që mund të korrë një grua në fushën e biznesit.

Muaj më parë edhe gazetari tjetër nga Podujeva, Nexhat Tovërlani gazetar në gazetën “Koha Ditore”, më 17 tetor 2016 u bë fitues i dyfishtë i çmimit për storien për varfëri i ndarë nga Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara (UNDP) dhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), duke marrë vendin e parë për gazetari të shkruar me storien “Shishe e kanaçe në vend të librave./Llapi.info