Edhe java që tashmë lamë pas u karakterizua me incidente të ndryshme edhe në Komunën e Podujevës, shkruan Llapi.info
Sipas raporteve të Policisë së Kosovës. tre persona janë arrestuar dhe janë dërguar në mbajtje.
Kësisoj, të hënën një person është arrestuar në këtë Komunë, pasi që i njëjti kishte sulmuar fizikisht babanë e tij. Policia ka njoftuar se viktima ka refuzuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari me vendim të Prokurorit dërgohet në qendrën e mbajtjes.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull K/Shqiptar, pasi që i njëjti për shkak të një mosmarrëveshje, ka sulmuar fizikisht viktimën mashkull K/Shqiptar-babanë e tij. Viktima ka refuzuar tretmanin mjekësor, ndërsa i dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhej në njoftimin e PK-së..
Të martën Policia ka njoftuar se një person është kanosur, për shkak të një borxhi. “Podujevë 12.02.2019 – 17:15. Ankuesi mashkull K/Shqiptar, ka njoftuar se në shtëpinë e tije lidhur me një borxhe është kanosur nga i dyshuari mashkull K/Shqiptar. I dyshuari pas intervistimit me vendimin e prokurorit, lirohet në procedurë të rregullt”, thuhej në raport.
Ndërsa, të mërkurën një person i kërkuar nga Policia e Kosovës është arrestuar në fshatin Gllamnik. Sipas PK-së, arrestimi i tij është bërë në bazë të urdhëresës së lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë- dega në Podujevë. I njëjti është dërguar në vuajtje të dënimit.
Të enjten një person një person është arrestuar në fshatin Letanc, nën dyshimin se ka kanosur një person. Sipas PK-së, i dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.
“Fsh.Letanc,Podujevë10.02.2019-18:10. Lidhur me rastin me datë 14.02.2019 është arrestuar i dyshuari mashkull K-Shqiptar dhe i njëjti pas intervistimit me urdhër të prokurorit lirohet në procedure të rregullt”, thuhej në raportin e Policisë.
Kurse, një tjetër person i kërkuar nga Policia është arrestuar po në këtë ditë në fshatin Gllamnik të Podujevës. Sipas njoftimit të PK-së, arrestimi i tij është bërë në bazë të urdhëresës së lëshuar nga gjykata. I njëjti është dërguar në vuajtje të dënimit në burgun e Smrekonicës./Llapi.info