Policia e Kosovës nëpërmjet raportove ditore ka njoftuar për rastet që kanë ndodhur brenda javës në qytetin e Podujevës, njofton Llapi.info
Në raportin e parë të fillim javës është bërë e ditur se dy femra të së njëjtës familje pas një mosmarrëveshje janë rrahur mes vete. Të dyja kanë pranuar tretman mjekësor. Kurse, me vendim të prokurorit janë liruar.
Ndërsa, mbrëmjen e së hënës është bërë e ditur se në rrugën “Zahir Pajaziti” në Podujevë është arrestuar një person i kërkuar. Arrestimi i tij është bërë sipas urdhëresës së lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë-dega Podujevë. I njëjti është dërguar për vuajtje të dënimit në burgun e Dubravës.
Kurse të martën janë arrestuar dy persona në fshatin Bellosh, për shkak të keqpërdorimit të detyrës zyrtare. Pa dhënë detaje të tjera, policia ka njoftuar se të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.
Të mërkurën është bërë e ditur se për rastin e kanosjes në Podujevë më 22 mars të këtij viti, është arrestuar një person në pikën kufitare në Vërmicë. I njëjti është dërguar në mbajtje.
Gjatë ditës së enjte është raportuar se në Podujevë një i dyshuar pas një mosmarrëveshje ka sulmuar fizikisht babanë e tij duke i thyer edhe xhamin e veturës. Sipas PK-së, i dyshuari është dërguar në qendrën e mbajtjes.
Ndërkohë, vikendit nuk është raportuar nga Policia e Kosovës për ndonjë rast në Podujevë./Llapi.info