Edhe java që lamë pas nuk kaloi pa incidente në qytetin e Podujevës.
Kështu në raportin e Policisë së Kosovës të hënën thuhet se në lagjen e Kuvajtit në Podujevë, është arrestuar një person nën dyshimin se është takuar duke transportuar dru me traktor pa dokumente përcjellëse. Sipas PK-së, traktori me dru është konfiskuar ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Ndërsa, të martën një person i kërkuar nga Policia është arrestuar në fshatin Gllamnik, njofton Llapi.info.
“Fsh. Gllamnik, Podujevë 08.08.2018-00:38. Në bazë të urdhëresës të lëshuar nga Gjykata Themelore Prishtinë dega Podujevë është arrestuar një mashkull K/Shqiptar dhe i njëjti është dërguar në vuajtje të dënimit në qendrën korrektuese të burgut në Smrekonicë”, ka bërë të ditur raporti i PK-së.
Mëngjesin e së enjtes një person në Podujevë ka sulmuar fizikisht gruan e tij. Sipas Policisë, viktima ka pësuar lëndime trupore derisa ka pranuar edhe tretman mjekësor. Me urdhër të prokurorit i dyshuari është dërguar më mbajtje.
Të premten në fshatin Metehi pas të shtënave me armë në një aheng familjar, njësitet relevante kanë dalë në vendin e ngjarjes. Pronari i ahengut vullnetarisht ka dorëzuar një armë Ekoll speciale, një fishek dhe një karikator të cilat janë konfiskuar. Sipas Policisë, me vendim të prokurorit i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.
Kurse, të shtunën në fshatin Shajkovc është arrestuar një person i kërkuar nga Policia. Sipas raportit të PK-së, arrestimi i tij është bërë në bazë të urdhëresës së lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë-dega Podujevë. I njëjti për vuajtje të dënimit është dërguar në qendrën korrektuese të burgut në Smrekonicë./Llapi.info