Vajzat dhe gratë po vazhdojnë të jenë viktimat më të shpeshta të dhunës në familje, ngacmimeve e sulmeve seksuale. Raste të tilla ndodhin edhe në hapësira publike, lokale, vende të ndryshme të punës, çka po ngrit shqetësim se kështu po cenohet siguria. Viktima të këtyre rasteve shumë shpesh janë edhe të miturat, siç ka ndodhur mbrëmë në Obiliq.

Sinjali mëson se rasti ka ndodhur në orët e mbrëmjes në rrugën “Hasan Prishtina”, ku një 33-vjeçar po dyshohet se e ka ngacmuar seksualisht një vajzë të moshës 15-vjeçare, derisa e njëjta ishte duke ecur për t’u kthyer në shtëpi.

Sipas informacioneve të Sinjalit, i dyshuari A.Th., e kishte ngacmuar me fjalë nga më të ndryshmet dhe për të mos mbaruar me kaq, i njëjti është ndalur me veturë, duke tentuar që të hyjë në bisedë me të miturën.

Përballë kësaj situate, vajza bashkë me prindin ia kanë mësyrë stacionit policor, ku e ka raportuar rastin dhe ka rrëfyer në detaje se si kishte ndodhur ngjarja.

Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku me urdhër të Prokurorit të Shtetit ndaj tij kanë nisur hetimet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Ngacmim seksual’.