Xhiroja e tetë në Superligën e Kosovës zhvillohet në mesjavë, ku vëmendjen do ta ketë ndeshja Feronikeli – Llapi, njofton Llapi.info.

Ndeshja luhet në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas, me fillim nga ora 14:30. Bardh e kaltrit nga Podujeva në këtë takim hyjnë pas fitores në “Zahir Pajaziti” kundër Dukagjinit, ndërsa kampioni në fuqi i Kosovës demoloi Ferizajn në udhëtim.

Pas shtatë javëve, Llapi radhitet në pozitën e tretë me 14 pikë, një më pak se lideri Feronikeli. Padyshim se kjo radhitje në tabelë tregon rëndësinë e këtij dueli të zjarrtë.

Pikërisht për këtë ndeshje, skuadra e Tahir Batatinës është stërvitur nga dita e diel në stadiumin “Agron Rama” të Obiliqit në mënyrë që futbollistët të ambientohen me barin natyral, i cili është në stadiumin “Rexhep Rexhepi” ku edhe zhvillohet takimi.

Për këtë duel, llapjanët nuk do të mund të llogarisin në dy sulmuesit Kastriot Selmani dhe Blendi Memaj. I pari ishte ndëshkuar me karton të kuq në duelin e fundit ndaj Dukagjinit dhe do jetë i pezulluar për këtë përballje, ndërkohë sulmuesi prizrenas Memaj për shkak të një infeksioni.

Përkundër mungesave, i gatshëm për këtë ndeshje është sulmuesi tjetër Labinot Osmani që është rikthyer nga lëndimi që kishte pësuar në ndeshjen ndaj Drenicës./Llapi.info