Kampionati i Superligës së Kosovës në futboll rikthehet sot pas pauzës për shkak ndeshjeve të përfaqësueseve, raporton Llapi.info.
Java e katërt në IPKO Superligë takon sonte dy skuadra të moçme. Prishtina është nikoqire e Llapit në stadiumin “Fadil Vokrri”. Ndeshja nën dritën e reflektorëve nis me fillim nga ora 19:00. Këto dy skuadra edicionin e fundit rivalizuan për titull deri në fund të kampionatit, por asnjëra s’u kurorëzuan me titull.
Kryeqytetasit hynë në këtë përballje pas disfatës së pësuar në Drenas kundër Feronikelit, ndërsa Llapi barazoi pa gola me Ballkanin në “Zahir Pajaziti”.
Kjo ndeshje cilësohet si njëra prej më interesanteve për këtë fillim sezoni, për arsye të rivalitetit ndërmjet këtyre dy ekipeve. Pas tri javëve, Llapi ka bilanc pak më të mirë se kryeqytetasit, ku në tri përballja ka grumbulluar katër pikë në vendin e shtatë, kurse prishtinasit vetëm një pikë dhe radhiten në pozitën e dhjetë.
Duhet përkujtuar se Prishtina duelin e së premtes e pret me trajnerin e ri, Bylbyl Sokoli i cili do të debutoj në postin e sapoemëruar. Pikërisht kjo ka bërë që kjo ndeshje të jetë mjaft interesante e përballjes Batatina- Sokoli, ku ky i fundit ka humbur çdo takim kundër trajnerit të Llapit. Por si do të mbyllet dueli i sotëm mbetet të kuptohet pas 90 minutave lojë./Llapi.info