Edicioni i ri i Superligës do të nisë me derbi. Të premten, fituesi i Kupës dhe Superkupës së Kosovës, Prishtina, do të përballet me Llapin në stadiumin e KEK-ut në Kastriot pasi stadiumi i qytetit në Prishtinë është duke u rinovuar.

Ndërkaq, të shtunën do të zhvillohet ndeshja kryesore e xhiros së parë ndërmjet Feronikelit dhe Besës. Të dyja skuadrat do ta synojnë titullin e kampionit këtë sezon.

Ekipi i organizuar dhe i përforcuar, Gjilani, do ta presë në shtëpi Trepçën ’89, derisa skuadra tjetër gjilanase, e cila u bë me pronar të ri, Drita, do t’i shkojë të rikthyerit në elitën e futbollit kosovar, Trepça.

Ndërkaq, ndeshje me më pak peshë do të jenë ato ndërmjet të rikthyerit në Superligë, Ferizaj, që e pret ekipin e dobësuar, Hajvalia, si dhe ajo ndërmjet Drenicës e Lirisë. Të gjitha ndeshjet do të fillojnë në orën 16:00.

Ish-futbollisti i njohur tashmë trajneri Faruk Statovci, vlerëson për ‘sovrani.info’ përgatitjen e lartë të ekipeve për nisjen e kampionatit.

“Mendoj se në krahasim me vitet e kaluara, ekipet janë më të konsoliduara. Kanë punuar edhe në afatin kalimtar dhe në përgatitje. Në këtë edicion ka ekipe shumë të forta. Mendoj se Prishtina, Besa, Drita, Llapi, Feronikeli dhe Gjilani kanë ekipe cilësore. Varet në nisje të kampionatit se si trajnerët do ta arrijnë formën e ekipeve. Mendoj se kampionati do të jetë shumë interesant”, ka thënë Faruk Statovci për ‘sovrani.info’.

Superliga – Java 1

E premte

Prishtina – Llapi

E shtunë 

Feronikeli – Besa

Drenica – Liria

E diel

Gjilani – Trepça ’89

Ferizaj – Hajvalia

Trepça – Drita