Inspektorati Policor i Kosovës ka realizuar urdhëresën për sekuestrim në Mitrovicën e veriut të lëshuar nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë.

“Hetimi është duke u zhvilluar në konsultim me prokurorinë kompetente me dyshimin se dy zyrtarë policorë të Drejtorisë Rajonale në Mitrovicën e Veriut (njëri zyrtar policor e tjetri me gradën e kapitenit) kanë kryer veprat penale ‘keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar dhe zbulimi i fshehtësisë zyrtare”, thuhet në një njoftim të IPK-së.

IPK njofton se si pjesë e realizimit të kësaj urdhërese më 16 maj janë sekuestruar disa pajisje kompjuterike dhe disa telefonave celularë si provë materiale të cilat do të shërbejnë për ndriçimin e veprave të cekura me lartë.

Inspektorati Policor i Kosovës i ka rekomanduar Policisë së Kosovës edhe masën e suspendimit nga detyra deri në përfundimin e hetimeve.