Në QKUK janë suspenduar tre mjekë pasi që gjatë inspektimit që është bërë nëpër klinika, ata nuk kanë qenë fare në vendin e punës. Me këtë rast, edhe tre mjekë të tjerë së bashku me dy infermierë, kanë dalë në komision disiplinor.

Këtë e ka bërë të ditur ministri i Shëndetësisë Uran Ismaili, i cili ka thënë se mungesa e tyre në vendin e punës mund të jetë humbje e madhe për dike, prandaj askush nuk do të falet.

“Porsa u njoftova nga Bordi i SHSKUK-së, se gjatë një inspektimi, të cilin e ka bërë drejtori i këtij institucioni Basri Sediu, gjatë natës së djeshme, në disa klinika nuk i ka gjetur fare në vendin e punës disa mjekë dhe infermierë. Si rrjedhojë, 3 mjekë janë suspenduar nga puna, 3 të tjerë janë dërguar në komision disiplinor përfshirë edhe 2 infermierë”, ka shkruar Ismaili.

Sipas tij, mungesa e mjekëve në vendin e punës mund të jetë humbje e madhe për dikë.

“Ne po punojmë çdo ditë që të përmirësojmë kushtet për personelin mjekësor në vend, siç bëmë ditë më parë duke rritur pagat e kujdestarive për ta, por çdokush që sillet në mënyrë të papërgjegjshme karshi punës dhe qytetarëve tanë, nuk e meriton të jetë aty. Këtë sjellje nuk e meritojnë mijëra profesionistë shëndetësorë, të cilët e bëjnë punën e tyre me nder dhe përgjegjësi, që të njollosen nga raste të tilla. Prandaj, në këto situata, nuk do të ketë kompromis dhe askush nuk do të falet”, ka sqaruar ministri i Shëndetësisë.