Inspektori i pyjeve në Komunën e Podujevës, Xhavit Avdiu është suspenduar sot nga puna, njofton Llapi.info.
Këtë e ka bërë të ditur vetë Avdiu në një postim në Facebook. Ai ka thënë se Policia e Podujevës ka iniciuar rast ndaj tij për thyrjen e vetëizolimit. Këtë e ka quajtur shpifje duke shtuar se vetëizolimi i tij ka përfunduar katër ditë më vonë, më 10 gusht, derisa ofron dëshmi se ka rezultuar negativ në testet për COVID-19.
Denoncimi ndaj Xhavit Avdiut në Prokurorinë Themelore të Prishtinës nga Policia, i ka humbur atij vendin e punës si inspektor i pyjeve. Për këtë, ai fajëson Policinë e Kosovës, kinse për denoncim të rrejshëm.
Avdiu thotë se ka hapur rast për shkelje dhe shpifje në Inspektoratin Policor të Kosovës ndaj Stacionit Policor të Podujevës. Ai shton se nuk është marrë në pyetje nga zyrtarët policorë, në kohën kur është parë nga ata në një kafiteri.
“Nuk e di a ka ligj kund, jam Inspektor, vetizolimi im ka përfunduar me dt.10.08.2020, hapet rasti tek prokurori me dt.13.08.2020 për mos respektim të izolimit nga stacioni policor në Podujevë. Kanë hapur rast ndaj meje vetëm se më kanë pa t’u pi kafe dhe se fare nuk mu kanë afruar me legjitimua apo me marrë deklaratë se a jam vetizolum apo kam kalua kohen e vetizolimit, po ashtu sod me dt. 17.08.2020 largohem apo suspendohem nga puna për arsye se është iniciuar rast ndaj meje nga st.policor Podujevë , rasti ndaj st.Policor në Podujevë është iniciuar nga unë për IPK për shkelje dhe shpifje ndaj meje”, ka shkruar ai.
Ndërkaq, Policia e Kosovës në raportin e së premtes ka theksuar se Avdiu, siç thuhet në raport, nuk i është përmbajtur rekomandimit për vet-izolim pasi që kishte rezultuar pozitiv me COVID-19.
“Raportohet se i dyshuari mashkull kosovar nuk iu ka përmbajtur rekomandimit për vet izolim pasi që kishte rezultuar pozitiv me Covid-19. Ndaj të dyshuarit me vendim të prokurorit është iniciuar rasti në fjalë”, thuhet në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës.
Për mosveprim sipas dispozitave shëndetësore gjatë epidemisë ndaj tij është iniciuar rast. Policia e ka cilësuar rastin si “përhapje e sëmundjeve ngjitëse”./Llapi.info