Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar se i kanë rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e një zyrtari policor me detyrë në pikë kalimin kufitar në Han të Elezit, nën dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Polici që po hetohet nga IPK dyshohet se nuk e ndaloi për verifikim një person të dyshuar për kontrabandë me drogë që po kalonte në atë pikë kufitare.

“Bazuar në veprimet fillestare hetimore dyshohet se zyrtari policor (tashmë  i suspenduar) më 03.10.2024 ka qenë duke e kryer detyrën e kontrollimit në kabinën e cila është në dalje të Republikës së Kosovës në pikë kalimin kufitar në Han të Elezit dhe dyshohet se i njëjti nuk ka ndalur e as ka futur në sistem te të dhënave të PK-së të dhënat një personi të dyshimtë i cili është ndaluar më vonë nga policia në Maqedoninë e Veriut si i dyshuar për kontrabandë me lëndë narkotike.”

Hetuesit e IPK-së pritet të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të të gjitha rrethanave të këtij rasti.