Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Gazmend Syla, thotë se partia e Ramush Haradinajt, asnjëherë nuk ka vendosur kushte për qëllime individuale.
Në një bisedë për Gazeta Blic, Syla thotë se kështu janë profilizuar falë liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj.Duke e komentuar çështjen e zgjedhjes së presidentit të ri, Syla i AAK-së, thotë se ata vazhdojnë të mendojnë që në situatën në të cilën gjendet vendi, këtë post duhet ta marrë Ramush Haradinaj.
Madje, ai thotë se njëra ndër arsyet kryesore, pse posti i presidentit duhet t’i takojë Ramush Haradinajt, është për shkak që siç thotë ai: Haradinaj është person unifikues, virtyt që duhet ta kenë secili president.
“Aleanca asnjëherë nuk ka kushtëzuar asnjë pozitë për interesa individuale, nuk jemi profilizuar ashtu falë liderit tonë parimorë z.Ramush Haradinaj, duke qenë kështu, mendojmë se kësaj radhe na takon posti i Presidentit. Situata në të cilën gjendet vendi tash, marrvëshja finale me Serbinë dhe shumë tema tjera na bënë të mendojmë që vendit i duhet një president unifikues dhe i paluhatshëm në qëndrime kur bëhet fjalë për të ardhmen e vendit tonë dhe këto virtyte i ka dhe gjithmonë i ka dëshmuar Ramush Haradinaj”, ka thënë Syla.
Lidhur me zgjidhjen e presidentit të ri, nënkryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj, thotë se zgjidhjen duhet ta bëjë koalicioni qeverisës.
Sipas Hoxhajt, kur PDK ishte në pushtet, për tema të tilla ata vetë bënin zgjidhje, duke i siguruar votat e nevojshme edhe brenda koalicionit qeverisës, por edhe në bashkëpunim me opozitën.