Sot në Ditën e Evropës, Shefi i zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, është shprehur se ardhmja e Kosovës është në BE, duke shtuar se pa Ballkanin Perëndimor BE-ja nuk do të jetë e plotë.

“E ardhmja e Kosovës është në BE dhe ne nuk kemi alternativë veçse të vazhdojmë të ecim përpara në rrugën e saj evropiane”, tha sot ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog.

Duke shënuar Ditën e Evropës dhe përvjetorin e Deklaratës Schuman që krijoi themelet për paqen e qëndrueshme midis kombeve evropiane, ambasadori Szunyog vuri në dukje se BE-ja nuk do të jetë e plotë pa Ballkanin Perëndimor dhe se agresioni rus kundër Ukrainës i ka bërë edhe më të rëndësishme përpjekjet e përbashkëta për integrimet evropiane të rajonit.

Ai thekson se BE-ja do të vazhdojë të jetë partneri më i afërt për Kosovën.

“Jam krenar për progresin që ka arritur Kosova me mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe shteteve tona anëtare. Pavarësisht nga çdo sfidë, solidariteti i BE-së nuk do të zvogëlohet kurrë dhe BE-ja do të vazhdojë të jetë partneri më i afërt me Kosovën, siç është tani”, tha Szunyog.

Duke theksuar mbështetjen e BE-së, ai bëri thirrje për angazhimin e vazhdueshëm të Kosovës për të bërë përparim në rrugën e saj evropiane.

“Sundimi i ligjit është themeli i një shoqërie të shëndetshme demokratike dhe së bashku me mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut, duhet të mbetet prioritet për institucionet e Kosovës”, tha Szunyog, duke shtuar se mediat duhet të jenë të lira nga çdo presion dhe të gëzojnë siguri dhe liri të shprehjes”.