Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka bërë të ditur se ka marrë pjesë në 19-vjetorin e masakrës në Rezallë. Këtë e beri të ditur përmes një postimi në rrjetin social Facebook.
“19 vite më parë, Rezalla ka përjetuar ditën më të rëndë në historinë e saj. Sot, 19 vite më pas, kur Republika e Kosovës është shtet sovran dhe i pavarur, ky krim ende trazon mendjet dhe zemrat e familjarëve të martirëve të rënë. Ende nuk kanë dhënë përgjegjësi kryerësit e kësaj masakre dhe ende nuk janë gjetur të gjithë trupat e viktimave të kësaj masakre.
Shpreha konfirmimin se ky shqetësim që trazon mendjet dhe zemrat e familjarëve, është shqetësim i të gjithë ne, është shqetësim i imi personal dhe si ministër i Drejtësisë” ka shkruar Tahiri.
Gjithashtu, ministri Tahiri ka bërë të ditur se është në kontakt të vazhdueshëm me shoqatat e familjarëve të të pagjeturve dhe se do të shtojë presion ndaj Beogradit për gjetjen e familjarëve të rënë.
“Jam në kontakt të vazhdueshëm me shoqatat e familjarëve të të pagjeturve dhe në periudhën në vazhdim do bëjmë hapa konkret që të shtojmë presionin ndaj Beogradit për gjetjen e familjarëve të rënë” ka shkruar Tahiri.
Për më shumë, ministri Tahiri ka shkruar se është duke themeluar Departamentin për Drejtësi Tranzicionale, e cila do të unifikojë të dhënat për krime lufte që kanë ndodhur në Kosovë, përfshirë edhe në Rezallë.
“Po ashtu, jam duke themeluar Departamentin për Drejtësi Tranzicionale që do unifikojë të gjitha të dhënat për krime lufte që kanë ndodhur në Kosovë, përfshirë edhe këtë në Rezallë, në mënyrë që kurdo që të kemi rast, të ndjekim penalisht çdo person përgjegjës për këto krime, dhe në këtë drejtim nuk do bëjmë kompromis. Sakrifica e Rezallës, do njihet dhe do marrë meritat e veta. Për këtë, do të jap maksimumin tim si Ministër i Drejtësisë” ka shkruar Tahiri.