Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, së bashku me shefen e Zyrës së BE-së/ Përfaqësuesja e Posaçme e BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova dhe Kryeprokurorin e Shtetit, Aleksandër Lumezi, kanë hapur sot punëtorinë për Ligjin e ri për Kompetencat e Zgjeruara për konfiskimin e pasurisë së fituar me vepër penale, mbështetur nga projektit i BE-së: “Mbështetje e vazhduar institucioneve të Kosovës në luftimin e krimit të organizuar, korrupsionit dhe ekstremizmit të dhunshëm” .
Punëtoria, e cila është pjesë e Agjendës “Drejtësia 2020”, sipas ministrit Tahiri, iu mundëson organeve ligjzbatuese kuptimin sa më të mirë të normave ligjore që atyre iu janë vënë në dispozicion për ta luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin.
Tahiri ka theksuar se konfiskimi i pasurisë së fituar me vepër penale ka qenë një ndër pikat më të dobëta të institucioneve, e kritikuar edhe në tri Raporte për Vendin të Komisionit Evropian, andaj dhe është punuar së bashku me BE-në në përmirësimin e legjislacionit dhe mekanizmave të nevojshëm për adresimin e kësaj çështje.
“Tashmë Republika e Kosovës ka arrit të ketë një bazë ligjore, e cila hetuesve dhe prokurorëve tanë ju jep mundësi dhe instrumente shtesë, që do ta nxjerrin shtetin tonë më mirë në ranglistën e shteteve që kanë pasur sukses në konfiskimin e pasurisë së fituar me vepër penale. Padyshim, mbi të gjitha si qytetar i këtij vendi, presim që viti 2019 të jetë vit që do të jap rezultate shumë më të fuqishme sesa vitet më parë” ka thënë ministri Tahiri.
Ai ka potencuar se në kuadër të Agjendës “Drejtësia 2020”, do të mbikëqyret zbatimi i këtij ligji, meqë rritja e numrit të gjyqtarëve, prokurorëve, bashkëpunëtorëve profesional dhe e hetuesve, e bënë më efikase luftën kundër krimit e korrupsionit.
“Mendoj që mënyra më e mirë për të dobësuar fuqinë e grupeve kriminale, qofshin në politikë apo në biznes, kudo që janë, është nëse ne arrijmë të konfiskojmë pasurinë e tyre. Jam i bindur se këto grupe do të dobësohen dhe shteti do të dal triumfues karshi tyre” ka theksuar ministri Tahiri.
Në ligjin e ri për Kompetencat e Zgjeruara është shtuar numri i veprave penale për të cilat vlen konfiskimi, është zgjeruar konfiskimi jo vetëm për të pandehurin por edhe për palët e treta nëse nuk janë blerës bona fide të asaj pasurie, si dhe është bërë sistem proporcional në dëshminë e barrës së provës. Sipas ligjit të ri, prokurori duhet të dëshmojë se pasuria e listuar për verifikim është pasuri e të pandehurit, ndërsa i pandehuri duhet të dëshmojë se atë pasuri e ka përfituar me burime të ligjshme, për të cilat duhet të ofrojë prova, në të kundërtën, ajo konfiskohet nga Gjykata.