Partia Alternativa Demokratike e Kosovës (ADK) e udhëhequr nga ish Ministrja për Dialog dhe Kryenegociatore, Edita Tahiri, në mbledhjen e Kryesisë së saj të mbajtur dje, ka dalë me deklaratë me të cilën kundërshton fuqishëm idetë e rrezikshme për ndryshimin e kufijve dhe fton Kuvendin e Kosovës që sa më shpejt të miratojë rezolutën kundër ndryshimit të kufijve si vijë e kuqe në Dialogun e Brukselit midis Republikës së Kosovës dhe të Serbisë, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian dhe të mbështetur nga SHBA-të.
Edita Tahiri e quan idenë për ndryshim të kufijve të rrezikshme dhe luftënxitëse.
Më poshtë mund të lexoni deklaratën e plotë:
Kryetarja e ADK-së, Edita Tahiri, njëherësh ish Ministre për dialog dhe Krynegociatore në Dialogun e Brukselit ka dal kundër ideve të rrezikshme për ndryshimin e kufijve, menjëherë posa këto ide u shfaqën në mënyrë të hapur në publik, duke bërë të qartë se ide të tilla janë kundër interesave kombëtare dhe kundër shtetit të Kosovës dhe çojnë në destabilizim dhe luftëra të reja në rajon.
ADK konsideron se vetëm Kuvendi i Kosovës ka fuqinë për të ndalur këto ide të rrezikshme dhe luftënxitëse, dhe ne jemi shumë të shqetësuar se Kuvendi i Kosovës po vonohet në miratimin e rezolutës kundër ndryshimit të kufijve, me të cilën përcaktohet vija kryesore e kuqe për delegacionin e Republikës së Kosovës për fazën finale të Dialogut me Serbinë. Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë dhënë betimin, që kur kanë marrë mandatin, për mbrojtjen e shtetit dhe kushtetutës së Republikës së Kosovës, prandaj kanë përgjegjësi historike t’i thonë JO ndryshimit të kufijve. Lojërat apo kurthat se cila rezolutë duhet të miratohet e para, ajo për delegacionin në bisedimet finale apo rezoluta kundër ndryshimit të kufijve, kanë zënë peng interesat kombëtare dhe shtetërore. Këto vetëm se shfaqin një papjekuri të thellë politike e strategjike, sepse dihet që së pari duhet të mbrohet shteti dhe kufijtë, ndërsa delegacionit d o ti ketë autorizimet e qarta për të respektuar vijat e kuqe, respektivisht Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Republika e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran ka lindur pas njëqind vjet lufte të popullit shqiptar dhe sakrificave më sublime të brezave të shumtë për liri dhe pavarësi. Rezistenca paqësore e udhëhequr nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) për një dekadë dhe rezistenca e armatosur e udhëhequr nga Ushtria Çlirimitare e Kosovës (UÇK) për dy vjet kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës nga pushtuesit serb. Por meritat për pavarësinë dhe lirinë e Kosovës i takojnë gjithë brezave dhe rezistencave përgjatë shekullit njëzetë, gjithë atyre që kontribuuan dhe atyre që u vranë, u torturuan e u dëbuan masovikisht deri në përmasa gjenocidale nga ana e Serbisë. Meritat i takojnë edhe aleatëve tanë, SHBA, NATO dhe BE-së, që mbështetën luftën tonë të drejtë për liri dhe pavarësi. Kështu që gjenerata e tanishme në radhë të parë ka obligim ta forcojë shtetin e Kosovës, të mbrojë qytetarët dhe të mbrojë kufijtë e shtetit tonë.
Idetë e rrezikshme për prekjen e kufijve të Kosovës janë ide hegjemoniste të Serbisë, e cila pretendon të arrijë synimet e saja për krijimin e “Serbisë së madhe” në dëmë të Kosovës dhe tokave shqiptare. Edhe veriu i Kosovës edhe Lugina e Preshevës janë toka shqiptare, ato nuk mund të këmbehen. Historikisht, tokat shqiptare janë tkurrur, një gjë e tillë nuk mund të ndodh dhe nuk do të ndodh më tej sepse këtë nuk e lejon populli shqiptar, por as gjaku i derdhur i cili ende është i freskët aq sa edhe plagët e luftës dhe humbjeve të njerëzve dhe të pagjeturve.
Trepça sot konsiderohet miniera më e pasur në Evropë, Ujmani është burim uji të pashtershëm, pika strategjike luftarake në malet e Kopaonikut, këto asete përbëjnë fuqinë gjeopolitike të shtetit të Kosovës. Ndaj tyre Serbia vazhdimisht i ka mbajtur sytë e sajë të pangopshëm, i ka shfrytëzuar në mënyrë koloniale gati një shkull derisa e dëbuam më 1999. Tani, njëherë e përgjithmon duhet tja prejmë rrugën pretendimeve të sëmura hegjemoniste të Serbisë, duke vënë vija të kuçe për mosndryshim të kufijve në finalen e dialogut të Brukselit.
Përtej pretendimeve hegjemoniste të Serbisë fshihet agjenda gjeopolitike ruse në Ballkan. Vet fakti se Rusia ka vendosur një qendër ushtarake në Nish të Serbisë, afër kufirit me Kosovën, dhe ndërhyrjet e vazhdueshme të saj ndaj shteteve të reja të Ballkanit përfshirë Kosovën, që kanë orientime të qarta gjeostrategjikë perëndimore, flet për shkallën e lartë të rrezikut që përbënë ideja e ndryshimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë.
Prandaj, duhet të jemi strateg për shtetin tonë Kosovën, të mbrojmë fitoren e luftës sonë kundër Serbisë më 1999, të mbështetur nga aleatët amerikan dhe perëndimor. Idetë e ndryshimit të kufijve janë ide serbe dhe mund të çojnë në zhbërjen e fitores sonë historike kundër pushtuesit serb.
Dialogu i Brukselit për shtatë vite mundësoi kthimin e pjesës veriore nën sovranitetit shtetëror të Kosovës, mundësoi zhbërjen e strukturave paralele serbe në fusha relevante shtetërore, në polici, gjykata, dogana, u vendos kufiri ndërshtetëror me Serbinë në pikat kufitare veriore, Jarinje dhe Bërnjak, që ishin të djegura nga Serbia pas deklaratës së pavarësisë së Kosovës me 2008, u zhbë struktura paramilitare e ashtuquajtur “mbrojtja civile” dhe shumë struktura tjera që cenonin sovranitetin e Kosovës.
Tani ka ardhur koha për njohjen reciproke mes dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë. Mirëpo, njohja reciproke duhet të bëhet mbi parimin e fqinjësisë së mirë mes shteteve si një kriter kryesor për anëtarësimin e shteteve në BE dhe jo duke dëmtuar integritetin territorial të Kosovës dhe prekjen e kufijve të sajë. Për këtë qasje, obligimi kryesor bie mbi Bashkimin Evropian, e cila ka përcaktuar parimet e anëtarësimit të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropianë si një projekt paqësorë për krijimin e një paqe të qëndrueshme në rajon dhe moskthim në luftëra dhe tragjedi të reja.
Ne jemi të bindur, që faktorët kryesor vendimmarrës euro-atlantik, SHBA-ja, BE-ja, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Franca e të tjerë do të vazhdojnë të mbështesin vullnetin e popullit për shtetin euro-atlanik të Kosovës në kufijtë e sajë ekzistues, të bazuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare për Drejtësi e cila vërtetoi se deklarata e pavarësisë së Kosovës është në pajtim me të drejtën ndërkombëtare, në vitin 2010. Ata tashmë e kanë parasysh se ideja e rrezikshme për ndryshim kufijsh është kundërshtuar plotësisht nga gjithë spektri politik, institucional, shoqëria civile, si dhe nga politikanët që janë liderë dhe themelues të shtetit të Kosovës. Po ashtu, i kanë parasysh kundërshtimet nga Shqipëria dhe gjithë kombi shqiptar në atdhe dhe diasporë, si dhe vet përfaqësuesit e Luginës së Preshevës të cilët janë deklaruar qartë për bashkim me Kosovën që nga viti 1992, por jo duke e këmbyer me veriun e Kosovës, sepse që të dyja janë toka shqiptare.
Duke marrë parasysh të gjitha këto që u theksuan më sipër, Alternativa Demokratike e Kosovës dhe Kryetarja e saj Edita Tahiri, ftojnë Kuvendin e Kosovës që të nxjerrë rezolutën kundër ndryshimin të kufijve, si vijë e kuqe në dialogun e Brukselit, e cila ka fuqinë e kundërshtimit zyrtar, duke bërë me dije faktorin ndërkombëtar për qëndrimin zyrtar të Kosovës, si dhe për të qetësuar popullatën e cila po kalon nëpër shqetësime alarmante