Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri po qëndron në një vizitë zyrtare në Gjermani me ftesë të Ministres Federale të Drejtësisë dhe Mbrojtjes së Konsumatorëve, Katarina Barley.
Në takimin dypalësh, Tahiri ka njoftuar homologen gjermane për angazhimin në përmbushjen e Agjendës së Reformave Evropiane, reformat në drejtësinë penale, kodifikimin e të drejtës civile, bashkëpunimin juridik ndërkombëtar si dhe për reformën strukturore të sektorit të sundimit të ligjit.
Ministri Tahiri ka shprehur konsideratën e lartë për kontributin që Gjermania ka dhënë në gjithë procesin e shtetndërtimit të Kosovës, si dhe mbështetjen e dhënë për procesin e liberalizimit të vizave.
Në këtë kuadër, Tahiri ka kërkuar mbështetje edhe në fuqizimin e kapaciteteve të mjekësisë ligjore përmes akreditimit të programeve dhe trajnimit të punonjësve mjekoligjor në fusha specifike si dhe në konsolidimin e drejtësisë komerciale përmes një programi të veçantë të trajnimit për organet e sundimit të ligjit në çështjet që ndërlidhen me efikasitetin e shërbimeve gjyqësore ndaj sektorit të biznesit.
Nga ana e saj, Ministrja Federale e Drejtësisë së Gjermanisë, Barley ka mirëpritur angazhimin institucional në fushën e sundimin të ligjit, luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit si dhe ka shprehur mbështetjen e plotë të Gjermanisë për proceset e reformave të ndërmarra.