Vendimi i fundit i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë urdhëron që të rinumërohen votat e Lidhjes Demokratike të Kosovës në të gjitha qendrat e vendvotimeve në komunën e Vushtrrisë.
Vendimi në fjalë është marrë të martën, më datë 4 mars, raporton Paparaci.
Shkas është bërë një ankesë e kandidates për deputete nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Rrezarta Krasniqi, e cila ka akuzuar se ka pasur keqpërdorim të votave në disa qendra.
Sipas vendimit të Prokurorisë, përmendet se ekziston dyshimi se ka pasur manipulim të vota për ta ndihmuar kandidatin tjetër të LDK-së, Xhafer Tahiri.
Mes tjerash, Krasniqi ka deklaruar se edhe komisionerët kanë qenë familjarët të Xhafer Tahirit.
Prokuroria ka dhënë arsyetim se në një rast, kandidati për deputet, Xhafer Tahiri kishte më shumë vota se kandidati për kryeministër, Lumir Abdixhiku.
“Prokurori Themelor i Departamentit të Krimeve të Rënda në Mitrovicë, më datë 18.02.2025, ka pranuar një parashtresë lidhur me dyshimin e keqpërdorimeve në Qendrën Komunale të Numërimit në Vushtrri nga personi Rrezarta Krasniqi. Për këtë rrethanë janë ndërmarrë edhe veprime – deklarata nga disa komisionerë si: ankuesja Rrezarta Krasniqi, dëshmitarët Çlirim Muli, Mehmet Ferati, Shkelzen Osmani, Betim Grabanica, Pajtim Grabanica dhe Betim Xhema. Njëherit janë shqyrtuar edhe dokumentacioni si dhe një sms që gjendet në shkresat e lëndës me përmbajtje “që të bashkohen komisionarët për ndihmë kandidatit Xhafer Tahirit”.
Dyshimi tjetër filloi dhe mund të themi se kryesore se në shkollën “Ali Kelmendi” në Vushtrri, në vendvotimin nr. 2702/05. Në këtë vendvotim: LDK-ja gjithsej kishte 55 vota, kandidati për kryeministër kishte 52 vota, kandidati Xhafer Tahiri kishte 54 vota, që nuk përputhet me realitetin e votave, sepse një kandidat nuk mund të jetë më i votuar se kandidati për kryeministër, e kjo ka mund të ndodhë edhe në klasë e tjera. Manipulimi i votave dyshohet edhe në tavolinën nr. 2709/01, në Qendrën e Votimit në shkollën “Bahri Haxha”, thuhet në vendim.
Më poshtë vendimi:
Urdhërohet shefi i Sektorit Rajonal të Hetimeve – Mitrovicë, që të caktojë një hetues i cili do të ngarkohet me rastin konkret dhe që në koordinim me zyrtarët përgjegjës të KQZ-së – Prishtinë, të ndërmarrë veprimet si më poshtë:
Të bëhet rinumërimi i votave që kanë rezultuar nga të gjitha qendrat e vendvotimeve në komunën e Vushtrrisë dhe atë rinumërimit për kandidatët e Kuvendit të R. Kosovës në Zgjedhjet Parlamentare të Kosovës të organizuar më datë 09.02.2025.
Vendi i rinumërimit të votave do të bëhet në objektet e QNR-së – Prishtinë.
Obligohet hetuesi i rastit që të kontaktojë me zyrtarët përgjegjës të KQZ-së – Prishtinë dhe në koordinim me të njëjtit, të caktohet një datë e përshtatshme lidhur me krijimin e mundësive për zbatimin e kërkesës që rrjedh nga pika 1.
Obligohet hetuesi i rastit të sigurojë të dhënat e anëtarëve të komisionit të vendvotimeve dhe në kuptim të nenit 150, paragrafi 3, të KPPRK-së (të dyshuarit apo mbrojtësit e tyre), të njoftohen lidhur me mundësinë e pjesëmarrjes gjatë rinumërimit të votave. Lidhur me zbatimin e kësaj pike, të përpilohet raport i veçantë, me të cilin duhet të evidentohet fakti nëse të njëjtit kanë pranuar të marrin pjesë, apo me vetë dëshirë kanë hequr dorë nga kjo e drejtë.
Obligohet hetuesi i rastit që me rastin e rinumërimit të votave, të përpilojë raport të detajuar, ku duhet të konstatohen pjesëmarrësit, koha e fillimit dhe mbarimit të numërimit të votave, si dhe të gjeturat, me ç’rast duhet të konstatohet nëse ka ose jo mospërputhje të numërimit të votave. Me rastin e rinumërimit të votave, hetuesi i rastit duhet të jetë i shoqëruar nga të paktën edhe një hetues tjetër dhe nga zyrtarët përgjegjës të KQZ-së.
Konform nenit 66, të KPPRK-së, OBLIGOHEN zyrtarët përgjegjës pranë KQZ-së – Prishtinë, që hetuesve policorë, t’ua mundësojnë dhe krijojnë të gjitha kushtet e nevojshme për zbatimin sa më të lehtë të kërkesave të përshkruara si në këtë urdhër.
III. Anëtarëve të komisionit për vendvotimet në fjalë, të paraparë si të dyshuar në rastin penal konkret, duhet t’u sigurohet qasje vëzhguese gjatë gjithë kohës, me mundësi edhe të paraqitjeve të vërejtjeve të mundshme vetëm lidhur me ndonjë paqartësi teknike, por jo edhe deklarimeve për rrjedhat e përgjithshme të procesit.