Janë nxjerrur nga shpella në Tajlandë edhe katër fëmijë të tjerë sot, duke e çuar gjithsejtë në tetë, numrin e fëmijëve të shpëtuar, pasi dje ishin nxjerrur katër të parët.
Në shpellë kanë mbetur edhe katër fëmijë të tjerë dhe trajneri i tyre i futbollit 25 vjeçar.
Pesë të mbeturit e tjerë nuk do të nxirren sot, pasi CNN raporton se për këtë ditë ka përfunduar operacioni – ai do të vazhdojë nesër, njofton Klan Kosova.
Operacioni i komplikuar po shkon shumë mirë, edhe më mirë se që ishte menduar, ka thënë një zyrtar në Tajlandë.
Në operacion po marrin pjesë 90 zhytës profesionistë – 40 tajlandezë e 50 nga vende të tjera të botës.
Fëmijët, pjesë e një klubi futbollistik kishin mbetur në shpellë, pasi shirat e mëdha e kishin mbyllur daljen nga shpella.
Ngjarja po përcillet me interes të madh në gjithë botën.
Të gjithë fëmijët e larguar nga shpella janë dërguar urgjentisht nëpër spitale për t’u trajtuar, derisa është njoftuar se gjendja e tyre është e mirë.
Gjatë ditëve të kaluara, duke bërë përgatitjet për largimin e fëmijëve nga shpella ka vdekur një zhytës tajlandez.
Ai kishte mbetur pa ajër i ngecur në një nga tunelet e ngushta të shpellës.