Nevoja për përfshirje konstruktive e Kosovës dhe Sebisë në dialog si dhe rrugëdalja nga situata kritike që ka përfshirë të dy palët, përmes Asociacionit e çështjes së targave, ishin temë kryesore diskutimi në takimet ndaras të kryeministrit Albin Kurti e presidentit Aleksandar Vuçiq me Përfaqësuesin e Lartë të BE’së, Josep Borrell si dhe emisarin e BE’së në dialog, Miroslav Lajçak, në Forumin për Paqe në Paris.

BE’ja, përmes një komunikate, ka njoftuar se serbët e Kosovës duhet rikthyer sa më parë në institucionet e Kosovës si dhe Kosova të angazhohet në nisjen e negociatave për themelimin e Asociacionit e të veprojë karshi marrëveshjeve të kaluara të Dialogut për targat, transmeton Gazeta Online Reporteri.net.

“Serbët e Kosovës duhet të kthehen menjëherë në institucionet e Kosovës dhe të rifillojnë detyrat e tyre, dhe Kosova duhet t’i harmonizojë veprimet e saj në targa me marrëveshjet e kaluara të Dialogut dhe të nisë negociatat për themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe pa vonesa të mëtejshme. Këto obligime, të marra në kuadër të Dialogut, mbeten të vlefshme dhe të detyrueshme”, bëhet e ditur në njoftim.

Borrell ka deklaruar se Kosova e Serbia duhet fokusuar në negociata kuptimplote që synojnë normalizimin e marrëdhënieve mes dy palëve, e që i hap rrugë anëtarësimit të tyre në BE.

“Mjedisi aktual gjeopolitik e bën edhe më të domosdoshme tejkalimin e të së kaluarës dhe angazhimin në negociata kuptimplote për atë që ka vërtet rëndësi për Kosovën, Serbinë, popullin e tyre dhe gjithë rajonin – që është normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet dy palëve si faktor kyç që ata të ecin përpara në rrugën e tyre evropiane”, deklaroi Borrell pas takimeve që zhvilloi me Kurtin e Vuçiqin.

“Pamundësia për të përmbushur detyrimet dhe përshkallëzimi i shpejtë do të ketë pasoja të dëmshme para së gjithash për njerëzit në Kosovë dhe Serbi, për të ardhmen evropiane të të dyja palëve dhe besueshmërinë e tyre në sytë e partnerëve evropianë dhe ndërkombëtarë”, thuhet tutje në komunikatë.

Për takimin me Borrellin, me deklaratë ka dalur edhe Qeveria.

Në takimin i cili është zhvilluar në Paris, ku palët po marrin pjesë në Forumin e Paqes, sipas Qeverisë u diskutua për zhvillimet e fundit që lidhen me zbatimin e vendimit për targa, dhe propozimin franko-gjerman për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, shkruan Reporteri.net.

Kryeministri Kurti theksoi elementet e kornizës së marrëveshjes për normalizimin e plotë të raporteve me njohjen reciproke në qendër, ndërsa tha se propozimi franko-gjerman, që ka mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, i prezantuar nga emisarët Jens Plötner dhe Emmanuel Bonne, shërben si bazë e mirë për diskutime të mëtejshme.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, duke folur për mediat serbe në Paris, pas takimit shefin e diplomacisë evropiane, Josep Borell, tha se “nuk ka më fshehtësi, Kurti ka mbështetjen e Gjermanisë dhe të Britanisë së Madhe”.

Sipas Vuçiq, Borrell e Lajçak “nuk janë hiç optimist” pas takimit me kryeministrin kosovar, Albin Kurtin, rreth çështjes së vendimit për targat.

“Na pret një situatë tejet e komplikuar pas 21 nëntorit”, tha Vuçiç për afatin kur përfundon lëshimi i fletqortimeve dhe nisja e gjobitjeve për veturat me targa KM. Presidenti serb tha se “Kurti po dëshiron të dëbojë serbët me veprimet e tij të njëanshme”.