Çështja e taksës për “Rrugën e Kombit” e vendosur nga Shqipëria e cila pritet të hyjë në fuqi nga 17 shtatori, do të diskutohet në mbledhjen e pestë të përbashkët mes qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, e cila mbahet në nëntor në këtij viti në Pejë.

Këtë e ka konfirmuar zëvendësministri i Infrastrukturës, Rexhep Kadriu, i cili tha se bizneset dhe qytetarët po ankohen për çmim të lartë të taksës, prej 5 euro për një drejtim për automjete të vogla dhe mbi 20 euro për makina të mëdha.

“Me siguri do të jetë temë diskutimi për arsye se kemi ankesa nga transportuesit tanë, do të kemi ankesa edhe nga qytetarët individualisht sepse taksa prej 5 euro, në dy drejtimet 10 euro, do të ndikojë në xhepin e qytetarëve. Dhe çka është më e keqja alternativë, nuk ka një rrugë tjetër e cila do të ishte pa pagesë”, ka thënë Kadriu për Ekonomia Online.

Ai vlerëson se taksa nuk do duhej të ishte më e shtrenjte se 2 euro për qytetarët e thjeshtë dhe 5 euro për transportuesit e mallrave për një drejtim.

Kosovarët nuk mund të paguajnë për mirëmbajtjen e rrugëve në Shqipëri

Zëvendësi i Pal Lekajt ka deklaruar se me paratë e mbledhura nga kjo taksë Shqipëria po dëshiron që të paguajë mirëmbajtjen e të gjitha rrugëve në territorin e saj, por sipas Kadriut këtë nuk mund ta bëjë në kurriz të qytetarëve të Kosovës.

“Nuk mundemi ne qytetarët e Kosovës të cilët e frekuentojmë bregdetin dhe gjithë diaspora e cila kalon nëpër Shqipëri të paguajë krejt mirëmbajtjen e rrugëve në Republikën e Shqipërisë. Republika e Shqipërisë do që me taksën rrugore të autostradës së Kombit të paguajë gjithë mirëmbajtjen vjetore të rrugëve në Republikën e Shqipërisë”.

MI konsideron se kjo taksë rrugore është e njëanshme e cila ndikon në ekonominë e qytetarëve të Kosovës. Ajo vlerëson se në vendimin për uljen e çmimit për rajonin e Kukësit është dashur të përfshiheshin edhe qytetarët e Kosovës.

Qysh në muajin maj kur është marrë vendimi për vendosjen e taksës, Qeveria e Kosovës e ka konsideruar atë si vendim të njëanshëm.

Ministria e Infrastrukturës (MI) thotë se ka ftuar ministrinë shqiptare të Infrasktrukturës të zhvillojnë një takim të përbashkët për të analizuar dhe shqyrtuar këtë taksë, por ajo i ka ikur takimit.