Ka pak javë prej se kur taksistët ilegalë të Podujevës kanë shtrenjtuar biletat në linjën Podujevë- Prishtinë dhe anasjelltas në 100%, shkruan Gazeta Blic.
Prej 1 euro sa ishte bileta deri para pak javësh, shoferët e taksive ilegalë, kanë vendosur që në mënyrë unanime që biletën ta ngritin në 2 euro. E për këtë, në kushte anonimiteti, njëri prej shoferëve i ka thënë Gazetës Blic se ngritja e çmimit të biletave ka ardhur me arsyetimin se po u bie që të presin në kolona.
“Kolonat e gjata Podujevë- Prishtinë ka qenë arsye se pse na kem vendos me e rrit çmimin e biletës. 1 euro sa u kon, tash e kemi ngritë në 2 euro”, tha ai.
I pyetur nëse kjo ngritje e çmimit ka të bëj edhe me ardhjen e mërgimtarëve në Kosovë, ai e ka mohuar një gjë të tillë.
“S’ka të bëj me mërgimtarët. Kemi vendosë bashkë krejt edhe tash po vazhdojmë qishtu”, tha ndër të tjera ai.
Mirëpo, një ngritje e çmimit nuk është pritur edhe aq mirë nga udhëtarët. Ata thonë se ngritja e çmimit të biletës në 2 euro është e tepërt dhe se më nuk kanë llogari që të udhëtojnë me këta taksi.
Ndryshe, pronarët e 25 kompanive të transportuesve të udhëtarëve në linjën Podujevë-Prishtinë kanë protestuar disa herë radhazi për shkak të taksive ilegalë.
Madje, shoferët të përfaqësuar nga shoqata e tyre patën thënë se këta hapa i kanë marrë për shkak të taksive ilegale që operojnë në këtë relacion rrugor, dhe për shkak se të njëjtit persona nuk po i ndalin inspektorët komunalë dhe policia.
Patën thënë se tashmë e disa janë duke punuar edhe me humbje, pasi shumicën e udhëtarëve po ua marrin taksitë ilegale.