Talenti llapjan, Kastriot Selmani është njëri nga lojtarët që ka shkëlqyer më shumë nga të rinjtë në sezonin e fundit në futbollin e Kosovës. 20-vjeçari ishte njëri nga lojtarët kryesor të Llapit dhe trajnerit Tahir Batatina.
Vjeshta e vitit që lamë pas ishte pozitive për djaloshin llapjan, Kastriot Selmani, i cili shkëlqeu tek klubi i vendlindjes së tij, Llapi.
Në një intervistë për Telegrafin, Selmani ka folur rreth formës së tij, gjysmësezonit në Superligë dhe synimeve tjera për të ardhmen.
Kastriot Selmani gjatë prezantimit te Llapi
“Sezoni im i parë me klubin tim të vendlindjes, Llapin, në aspektin individual është i suksesshëm, duke u bazuar në minutazhën që kam pasur në këtë jashtë mujorin e parë, pasi kam realizuar edhe dy gola dhe kam bërë tri asistime”, ka thënë fillimisht Selmani për Telegrafin.
“Sa i përket aspektit ekipor, nuk na ka ecur mbarë ku në disa ndeshje nuk kemi pasur fat, pasi kemi lëshuar disa pikë që na kanë kushtuar me këtë pozitë në renditje, por Llapi brenda vetes ka staf dhe futbollist mjaft cilësor që do i rikthehet rezultateve pozitive dhe ngritjes sa me lart në tabelë”.
“Gjatë sezonit kam luajtur në dy pozita: si mesfushor i krahut të djathtë dhe mbrojtës i majtë shkaku i lëndimeve të disa bashkëlojtarëve, por pozita ime e natyrale dhe e preferuar është mesfushor i krahut të djathtë. Mirëpo, jam i gatshëm të luaj në cilën do pozitë qe thotë trajneri, vetëm që ta ndihmojë ekipin drejt objektivave”.
Selmani duke festuar një gol me fanellën e Llapit
Selmani foli edhe për pritjet e tij rreth një ftese nga Përfaqësuesja e Kosovës U-21, ndërsa tha se është optimist që një gjë e tillë do të ndodh dhe do ta pranonte pa hezitim.
“Normalisht që paraqitjet e mia në ketë gjysmësezon ishin të mira. Kam ndihmuar skuadrën për të arritur rezultate, andaj edhe unë si një futbollist i ri pres ftesë nga Përfaqësuesja e Kosovës U21, andaj nëse në adresën time vjen një ftesë nga përzgjedhësi do ta pranoja pa asnjë hezitim”.
20-vjecari në aksion ndaj Flamurtarit
20-vjeçari llapjan foli për synimet e tij në sezonin pranveror, ku pret paraqitje të mira individuale dhe ekipore, ndërsa në të ardhmen pse jo edhe një kalim në ndonjë kampionat evropian.
“Synimet e mia në pranverë janë më shume ato ekipore, dua t’i ndihmoj skuadrës të ngritemi më lartë në tabelë, kurse shpresoj që do vazhdoj me lojëra te mira, gola e asistime që t’i kënaqim tifozët tan”.
“Për oferta është ende herët të flasë mirëpo dëshira ime është të kem sukses së pari me Llapin dhe kur të me jepet mundësia pse jo të dal jashtë të luaj për ndonjë skuadër të madhe evropiane”, përfundoi llapjani.