Shkruan Ramazan Bekteshi:
LDK-ja, shpresë apo iluzion
Kanë mbetur edhe pak ditë, kur LDK-ja duhet të vendos për fatin e saj dhe të Kosovës. Shpresat janë të mëdha që pas nëntë vitesh të rikethehet dinjiteti në parti. Ishin nëntë vite të gjata agonie dhe denigrimi, nëntë vite disfatash njëra pas tjetrës. U humbën të gjitha zgjedhjet parlamentare u humb edhe bastioni më i madh i LDK-së, Prishtina. Udhëheqësia e LDK-së bëri pazare pa principe në shpinë të Kosovës me marrëvshtje të këqia, Isa, edhepse si humbës e rrembeu kryeministrinë për vete duke ia dhuruar postin e kryetarit Hashim Thaçit. Të dy pozitat kyçe të shtetit u grabitën me pazare politike duke ia mundësuar njëri tjetrit për të n’a udhëhequr si dy njerëz jo legjitim, njëri si humbës i zgjedhjeve e tjetri i kontrabanduar pa votim.
Nga 2010-ta në parti defiluan njerëz te rinjë, dhe qëllimi s’ishte përforcimi partisë (me disa përjashtime), por grabitja e ndonjë ministrie, ambasade apo bordi. Përpjekjet në emër të forcimit të partisë, sollën të kundërtën. Infiltrimi i G-2 (intelligence) i PDK-së në partinë e Isa Mustafës krijoi një klimë që LDK-ja të bëhet një instrument praktik politik i PDK-së në arenën politike te Kosovës, e gjithë kjo gjoja në emër të unitetit të faktorit shqiptar. LDK-ja s’ishte më vetëvetja sepse lideri i saj merrej me punë ‘kombëtare’, duke nënshkruar marrëveshtje antikombëtare. HTH, kur ia arrinte qëllimit me votat e LDK-së të çoj në vend planin e tij, ai si me shkopin magjik e rrëzoi KM Isa Mustafa, thjeshtë, si një autokrat i regjur, pas shfrytëzimit i gjuante në mbeturina. Lind pyetja, si është e mundur një Hashim Thaç pa shkollë formale të rrëzojë një akademik.
Paradoksi i radhës i Isa Mustafës është përjashtimi total i diasporës, atyre njerëzve që kishin punuar si vullnetarë, pa kusht, duke lënë anash karierën, bizneset shpesh edhe familjet e tyre. Ajo diasporë që e kishte mbajtë Isën për një dekadë, me gjthë familje, më të gjitha shpenzimet në mes te Europës. Ato degë që u krijuan me shumë mund dhe që ishin asete të LDK-së dhe afirmimit të Kosovës, që shtriheshin nga Italia gjer në Skandinavi, nga Australia, SHBA e Kanada. Ishte ky suksesi më i madh i LDK-së që shtrihej në tre kontinente, e lakmi ia kishte cdo parti europiane. Fatkeqësisht, lideri i tashëm i LDK-së pa fije turpi, si një despot, ia përplasi dyertë diasporës, paturpësisht. Ai shkoi edhe më larg, duke urdhëruar që Donika Gërvalla, kryetare e degës, një aktiviste e përkushtuar e LDK-së në Gjermani, vajza e veprimtarit dhe heroit kombëtar Jusuf Gërvalla, jo vetëm që s’u lejua të marrë pjesë në mbeledhje, në shtëpinë e saj, por edhe u tërhoq zvarrë me dhunë. Ate që me mund e kishin krijuar një armatë e tërë vullnetarësh shqiptarë nga të gjitha trojet tona, bie një rob, haram i familjes, si ky, dhe e rrënon për një natë, gjithë atë mund. Isa Mustafa, duke ardhur në krye të LDK-së ashtu si erdhi, në sofër të shtruar, duke trashëguar testamentin e themeluesve të saj Ibrahim Rugovës, Fehmi Aganit e tjerëve si dhe avangardës së saj si që ishin Sali Cekaj, Agim Ramadani e shumë të tjerë, shkeli mbi nderin e tyre, mbi diasporë, mbi kufinjë, pa u ndëshkuar. Ai vazhdon të uzurpojë pozitën duke e paralizuar partinë edhe në këto momente dramatike.
Tani, kur pak ditë n’a ndajnë nga zgjedhja e kryetarit të ri të LDK-së, ekzistojnë shumë shpresa poaq sa dyshime, se cilit mund të jenë skenarët e mundshëm. A do të jetë një zgjedhje demokratike e më të mirit apo agjentët e huaj e kanë në dorë planin e gatshëm e të zbatueshëm të misionit. Emri i mundshëm ende mbetet enigmë për publikun derisa në mbrendësinë e saj vlojnë disa damarë me temperatura të larta. LDK-ja sërisht nuk ishte e hapur dhe nuk u dha kandidatëve të mundur shansë që të shpalosin programin e tyre për ringjallje por hy ne zgjedhje me “macën ne thes”. Sa më shumë kandidatë aq më mirë, por e keqja është se urdhërat vinë nga lartë e votimi me urdhër s’është votim i lirë. Nëse LDK-ja del e traumatizuar nga zgjedhja e kryetarit kuptohet se kjo do të ketë ndikim negativ edhe në zgjedhje parlamentare.Të shpresojmë se ajo përfundimisht e ka braktis ‘programin e saj hapsiror’ shumë me kosto, të karrikeve fluturuese.
Tani ose kurr, LDK-ja e ka shansën të shkelqej ashtu si ishte, sepse i ka lodhur simpatizuesit e saj të devotshëm, të civilizuar e të besës, sepse në të kaluarën ka qenë ‘dorzë’ në duar të PDK-së dhe kjo i ka sjellë jo pak telashe partisë dhe shtetit. LDK-ja duhet të mendojë për koalicione të mirëfillta sepse sëshpejti do të kemi zgjedhje.
(1) Afrimi me VV do të ishte një vendim i mënçur, përpara se ajo të zgjedh një partner tjetër.
(2) LDK-ja duhet të zgjohet dhe punët t’i marrë në dorë, sepse as Rugova as Agani nuk do të zgjohen, konsumimi i punës dhe famës së tyre është iluzore.
(3) Duhet larguar të gjithë ata që e kanë konsumuar partinë si dhe ata që s’kanë lëvizë asnjë gurë.
(4) LDK-ja duhet të jetë më guximtare dhe të veprojë me kurajo, që i ka munguar gjatë dekadës së fundit.
(5) LDK-ja ka qenë plotë vizion dhe duhet të riinstalohet karakteri i saj i vendosmërisë dhe jo-kompromisit me të ligat që janë bërë fenomen epidemik në shoqerinë tonë.
(6) Dhe më e rëndësishmja, LDK-ja duhet të pushojë së qenuri ‘timon’ në duar të shoferëve pa patentë të PDK-së.
Tani kur tërë sytë dhe vëmendja e Kosovës, diasporës dhe bashkësisë ndërkombëtare janë fokusuar te ti, LDK-ja ime, mos n’a zhgënje kësaj radhe. Shpëto vetëveten nga njerëzit që janë infiltruar nga jashtë, sepse ata duan sërisht t’a pushtojnë kështjellën nga mbrënda.
Ramazan Bekteshi, Alexandria, Virginia
Ish-kryetar i Degës së LDK-së për Chicago (1990-94) dhe Koordinator i Degëve të LDK-së për Amerikë e Kanada (1992-2000)