Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur tubim me qytetarët në Podujevë. Ky takim i paraprinë serisë së tubimeve nëpër komuna me moton “Kundër PANhajnisë, njofton Llapi.info
Sipas Vetëvendosje këto takime po bëhen për të kërkuar zgjedhje të reja dhe që koalicioni qeverisës të bie, e rënien e tyre shteti do të shpëtojë nga nepotizmi.
Në këtë tubim të mbajtur në teatrin e qytetit “Avdush Hasani”, kryetari i VV-së dega në Podujevë, Bajram Ajeti ka folur për gjendjen aktuale në Kosovë. Sipas tij, pushteti aktual është shkaku kryesor që nga vendi po largohen qytetarët.
“Sot po derdhim lot dhimbjeje për pjesën më aktive, për punë të rinjtë tanë po e lëshojnë Kosovën. Për një jetë më të mirë jashtë atdheut. Ne po e përjetojmë këtë plagë duke parë në Shtedim e Merdarë se si autobusët po transportojnë kurbetçarët e rinj dhe krye-panisti thotë se po ikin për turizëm”, ka thënë ai.
Duke folur për situatën politike, kreu i kësaj partie në Podujevë, ka shtuar se Llapi është injoruar nga të gjitha qeveritë. Ajeti ka përmendur edhe punimet në rrugën nacionale Prishtinë-Podujevë, që siç thotë ai, asnjë kilometër nuk është përfunduar.
“Qeveritë gjithherë e kanë injoruar Llapin, asnjëherë nuk është investuar seriozisht me projekte serioze me qëllim të zhvillimit ekonomik. Shihni pa-projektin për zgjerimin e rrugës Podujevë-Trudë, po bëhen tri vjet dhe asnjë kilometër nuk është përfunduar. Premtimet e ministrave njëri pas tjetrit që fryheshin si gjela deti me premtime, por që doli se me asfalt po mbulojnë faqen e zezë të tyre të korruptuar. Me këto zhagitje po maltretohen qytetarët”, është shprehur Ajeti.
Më tej, Ajeti ka thënë se zgjedhjet janë zgjidhje e vetme për ta larguar situatën e krijuar në Kosovë.
“Tubimi ynë sot ndër të parët në fushatën mobilizuese kudër të keqes, tregon se Lëvizja Vetëvendosje ka besim te Llapi, por edhe Llapi tek Lëvizja Vetëvendosje në krye me Albin Kurtin. Llapi është vend i heronjve e dëshmorëve. Llapi është vend që e mbron nderin dhe atdheun, Llapi për flamur, fe e atdhe gjithmonë ka dal faqebardh. Bashkë me ju të rinj e të reja, bashkë me LVV do ta sjellim ndryshimin, andaj mos të ndalemi deri në zgjedhje të reja”, ka shtuar Ajeti./Llapi.info