Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka njoftuar se të hënën do të hapen lokalet e gastronomisë dhe qendrat tregtare, duke respektuar masat strikte shëndetësore.

Kjo është bërë e ditur pas takimit të ministrit të MAPL’së, Elbert Krasniqi, dhe atij të Shëndetësisë, Arben Vitia me kryetarët e komunave dhe Adociacionin e Komunave të Kosovës.

Aty është bërë e ditur se masat e reja do të vendosen edhe masa të reja për parandalimin dhe luftimin e COVID-19.

“Duhet ta kemi të qartë se situata në institucionet shëndetësore është mjaft alarmante sepse këto institucione janë të stërngarkuara më pacientë të infektuar më COVID 19 dhe hapësira e këtyre institucioneve afër limiteve. Masat e ndërmarra përfundojnë me 18 prill 2021 dhe me 19 prill duhen masa të reja për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID 19. Është shumë e rëndësishme që sot të diskutojmë bashkërisht që masat që do të hyjnë në fuqi të koordinohen së bashku me nivelin lokal dhe propozimet e juaja si kryetarë dhe përfaqësues të komunave janë shumë të rëndësishme”, thuhet në njoftim.

Po ashtu është bërë e ditur se janë bërë grupe punuese me përfaqësuesit e gastronomëve për të punuar rreth qasjes dhe punës së këtij sektori në të ardhmen.

“Në anën tjetër kemi bërë grupe punuese me përfaqësuesit e gastronomeve për të punuar rreth qasjes dhe punës së sektorit të gastronomisë në të ardhmen dhe aktiviteti i tyre do të rifillojë nga data 19 prill 2021 duke respektuar në përpikëri masat për mbrojtjen e shëndetit publik. Si përfundim duhet theksohet se Republika e Kosovës i ka masat më liberale duke i krahasuar ato me masat e vendeve të rajonit dhe Evropës”, bëhet e ditur në njoftim.