Drejtori i Përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) Ilir Murtezaj ka prezantuar aktivitetet e zhvilluara, si dhe rezultatet e arritura të këtij institucioni, raporton Ekonomia Online.
Në këtë konferencë i pari i ATK-së ka prezantuar edhe implementimin obligimeve të ATK-së, të cilat ndërlidhen më implementimin e masave të Qeverisë ndaj pandemisë, për periudhën janar-qershor.
Sipas tij, gjatë kësaj periudhe synim ka qenë ofrimi i lehtësirave për tatimpaguesit.
Ai ka bërë të ditur që nga janari kanë inkasuar 215.9 milionë euro, përderisa nëse krahasohet me planifikimet dhe krahasuar me vitin tjetër të hyrat kanë qenë për 23.5 milionë euro më pak.
“Në periudhën janar-qershor janë paguar 215 milionë euro tatime dhe 83 mijë euro kontribute personale. Për shkak të pandemisë ka pasur rënie të të hyrave tatimore për 23.5 milionë krahasuar me 6-mujorin e parë të vitit të kaluar. Gjithsej të hyrat këtë vit kanë qenë 299 milionë euro”.
“Efektet e pandemisë kanë pasur ndikim edhe në qarkullimin e bizneseve. Nga marsi prej kur ka filluar pandemia deri në qershor kemi pasur rënie të qarkullimit të bizneseve diku 22%”.
“Ka pasur tendenca për rritje të çmimeve nga bizneset, por fatkeqësisht në numër të vogël. Por, ne menjëherë jemi autorizuar nga ministri i Financave për ta luftuar këtë dukuri. Kemi krijuar menjëherë platformën për të denoncuar pa pagesë këto parregullsi dhe në këtë periudhë kemi pranuar 11.400 denoncime nga qytetarët”, ka thënë ai.