Ndihmëstrajneri i Llapit, Fidaim Haxhiu e ka cilësuar të suksesshme pikën e fituar ndaj Trepçës ’89 në Mitrovicë. Haxhiu udhëhoqi ekipin e Llapit në ndeshjen ndaj 89-shit.

Trajneri Tahir Batatina mungoi shkaku i rastit të vdekjes në familjen Batatina. Ndeshja në mes të 89-shit dhe Llapit përfundoi baras 3:3.

“Kemi pasur një javë të rëndë, ku dihet që trajneri ka pasur rast në familje dhe bashkë me të e kemi përjetuar edhe ne gjithë stafi dhe lojtarët. Këtë pikë ia dedikojmë familjes së trajnerit tonë. Ekipi pa të funksionon ndryshe dhe sigurisht se i ka munguar Llapit në këtë takim. Sa i përket ndeshjes, ne e kemi ditur se do të kemi përballje të fortë ndaj Trepçës ’89. Pranuam gola që nuk duhej marrë, por arritëm në fund të marrim një pikë. Dhe, kjo falë këmbëngulësisë tonë. Është e madhe të dalësh nga kjo fushë me barazim, pasi nuk është pak të kthesh rezultatin ndaj Trepçës ’89, ndonëse në fund kemi mundur ta fitojmë ndeshjen”, ka thënë Haxhiu.